×
  • Lajme
  • Lajme / Zagreb

    Gjakova u paraqit si pjesë e Serbisë, Ambasada e Kosovës i thotë kosovarit që ta pranojë dokumentin e lëshuar nga Kroacia

    Autor:Egzona Krasniqi
    23 Shkurt 2024 | 17:11
    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gjatë dorëzimit të letrave kredenciale tek Presidenti kroat, Zoran Milanovic

    Engjell Lekaj, ndërmarrës me prejardhje nga Kosova, që jeton në Kroaci, prej kohësh është duke u përballur me një problem në lidhje me patentë-shoferin e tij kroat. 

    Kosovari, me shtetësi kroate, po refuzon ta marrë patentë-shoferin e tij të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Kroacisë, shkaku se aty vendlindja e tij në Kosovë po paraqitet si pjesë e Serbisë.

    Engjullit, tek seksioni ku paraqitet vendi se ku e ka kaluar testin e vozitjes, në dokumentin kroat, po i shkruan “Gjakovë, Serbia”.

    Në denoncimin e tij për gazetën online Reporteri.net, kosovari që jeton në rrethinën e qytetit të Pulës, ka dëshmuar se si për rastin në fjalë ai i është drejtuar për ndihmë edhe Ambasadës së Kosovës në Zagreb.

    Por, thotë se përgjigja që e ka marrë nga ta, “ishte dëshpëruese”.

    Sipas Lekajt, ambasada e shtetit të Kosovës në Kroaci i referoi atij që ta pranojë dokumentin ku Gjakova paraqitet si qytet i Serbisë.

    Në përgjigjen e saj për Lekajn, seksioni konsullor i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zagreb, në gjuhen kroate i tha atij se “sa i përket dokumenteve kroate, duhet të ndiqni udhëzimet siç ju kanë thënë në Ministria e Punëve të Brendshme [e Kroacisë]”.

    Përgjigja e kthyer me e-mail për qytetarin nga Ambasada e Kosovës në Kroaci

    “Pra, ne si Ambasadë e Kosovës nuk kemi sistem me institucionet kroate”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës për kosovarin me shtetësi kroate.

    “Ju tashmë keni patentë shofer të Kroacisë, kështu që veproni siç ju është thënë nga MPB-ja dhe kontaktoni me shkrim institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Kosovës në Zagreb për Lekajn.

    Të kontaktuar nga gazeta online Reporteri.net, Ambasada e Kosovës në Zagreb nuk kanë kthyer përgjigje dhe sqarime rreth rastit dhe përgjigjes së tyre për kosovarin me shtetësi të Kroacisë. Në kërkesën për sqarime nga Ambasada kanë qenë të inkuadruar edhe e-mail’at e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, që gjithashtu deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

    Engjëll Lekaj në shkresën e tij për Ambasadën e Kosovës në Zagreb, të cilën e ka parë gazeta online Reporteri.net, thotë se ai me patentë-shofer për herë të parë ishte pajisur në vitin 1997, në Gjakovë, që është edhe vendlindja e tij, dhe aty e ka kryer testin e vozitjes.

    Së fundi, në kërkesën e tij për vazhdimin e patentë-shoferit në Kroaci, zyra në Pula e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë tek qyteti atij ia evidentoi “Gjakovë, Serbia”.

    Probleme të ngjashme sikur Lekaj, kosovarët me shtetësi tjera të huaja përballen vazhdimisht, përkundër se Kosova nga viti 2008 është shtet i pavarur, dhe i pranuar ndërkombëtarisht.

    Ambasada e Kosovës në Kroaci, nga fundit i vitit 2021, drejtohet nga Ambasadori Martin Berishaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!