Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosje rastin e padisë së Mimoza Kusari-Lilës ndaj Kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjinit, raporton gazeta online Reporteri.net.
Në qershor të 2019, Gjykata Themelore e Gjakovës kishte aprovuar pjesërisht kërkesë-padinë e Kusari-Lilës, duke e detyruar Gjinin që në emër të cenimit të autoritetit të paguajë shumën prej 750 euro dhe në emër të shkaktimit të dhimbjes shpirtërore të paguajë shumën 750 euro.
Sipas vendimit të Gjykatës, Gjini detyrohej t’ia paguante ish-kryetares së Gjakovës, shumën e përgjithshme prej 1,500 euro me kamatën përkatëse ligjore 8% në vit, e cila fillonte të rrjedhë nga data 10 qershor 2019 (data e marrjes së këtij vendimi) e tutje, e deri në pagimin definitiv, e të gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita e marrjes së aktgjykimit, e nën kërcënimin e përmbarimit me dhunë.
Sot shefja e grupit parlamentar të VV’së, e kishte paditur Ardian Gjinin e AAK’së për deklarimet e tij ndaj Kusari-Lilës gjatë fushatës zgjedhore për të parin e Komunë së Gjakovës, në zgjedhjet vitit 2017.
Por, gati katër vite pas, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rivendosje, duke e aprovuar ankesën e avokatit të Gjinit, Meshari Selimaj, ndaj aktvendimit të Themelores.
“APROVOHET si e themeltë ankesa e të autorizuarit të të paditurit Ardian Gjini nga Gjakova”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të datës 26 shtator 2023, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.
“PRISHET aktvendimi i Gjykatës Themeore në Gjakovës, C.nr. 637/17, i datës 10.06.2019 dhe lënda i kthehet të njejtës gjykatës në rishqyrtim për rivendosje”, thotë tutje aktvendimi në fjalë.
“Zonja Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë tender bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti i saj Arben Lila”, ishte një nga deklarimet e Gjinit në emisionin ‘Rubikon’ të datës 24 tetor 2017, për të cilin Kusari-Lila e kishte paditur kryetarin e Gjakovës.
Apeli në aktvendimin e saj thotë se paditësja, në këtë rast Mimoza Kusari-Lila, gjatë ushtrimit të padisë, nuk ka vepruar në pajtim me nenin 12 të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, dhe për këtë arsyeje kolegji i Apelit e ka prishur vendimin e Themelores dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.