Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi lidhur me kërkesën e PDK-së për çështjet kushtetuese që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe afatet për zgjedhjen e Presidentit.
Gruda, i cili ishte një nga deputetët që e kishte dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se vendimi, sipas tij, ka konfirmuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka vërtetuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur vazhdimisht gjatë gjithë kësaj kohe”, ka shkruar Gruda.
Sipas tij, Kushtetuta është shkelur për shkak të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor.
“Kushtetuta është shkelur duke mos u konstituuar Kuvendi brenda afatit 30-ditor”, ka deklaruar ai.
Gruda ka theksuar gjithashtu se, sipas vendimit të Kushtetueses, afati për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
“Pra, LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, siç ka synuar”, ka shkruar Gruda.
Ai është ndalur edhe te pozita e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, duke thënë se kjo pozitë duhet të plotësohet.
“Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet. Kjo pozitë nuk mund të anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare”, ka thënë ai.
Gruda ka bërë thirrje që institucionet të veprojnë brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.
“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, ka shkruar ai.
Në fund, Gruda ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon, sipas tij, se afatet kushtetuese nuk mund të përshtaten sipas interesave politike.
“Vendimi i sotëm konfirmon një parim themelor: afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”, ka përfunduar Gruda.