Grupi Punues i Konventës Nacionale të Bashkimit Evropian për Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE ka bërë thirrje që palët t’i kthehen dialogut të fascilituar nga Brukseli, që urgjentisht të vazhdohen bisedimet në nivelin më të lartë dhe që bashkërisht të gjenden zgjidhje për situatën aktuale në veri të Kosovës, raportoi televizioni publik i Vojvodinës, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Grupi Punues shprehu shqetësim rreth situatës në katër komunat veriore të Kosovës pasi përfaqësuesit politikë, oficerët policorë, gjykatësit e prokurorët u larguan nga institucionet.
“Në këtë mënyrë është krijuar vakum institucional i cili çon në shkeljen e sigurisë dhe sigurisë ligjore të qytetarëve, kështu duke anuluar rezultatet pozitive të arritura brenda kornizës së dialogut të Brukselit”, thuhet në reagimin e këtij Grupi Punues.
Serbët e kryesuar nga Lista Serbe janë tërhequr nga pozitat e tyre institucionale me arsyetimin se kundërshtojnë vendimin e qeverisë kosovare për targat a paligjshme serbe në pjesën veriore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë tërheqje nga institucionet e ka interpretuar si maskim të presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, për refuzimin e planit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi./Reporteri.net/