×
  • Lajme
  • Lajme

    Gucati: Dalja e dokumenteve nga ZPS-ja mund të jetë kurth për ne

    Reporteri
    07 Dhjetor 2021 | 14:49

    Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se nga hetuesit e Speciales, në shtator të vitit 2020, ka pranuar vetëm urdhrin për t’i dorëzuar dokumentet dhe jo ndonjë urdhër të gjykatës që i obligon të mos publikojnë dokumente të tilla.

    Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, i akuzuari Hysni Gucati ka thënë se pasi që hetuesit e Speciales kanë shkuar në zyrat e organizatës e ka kuptuar që dokumentet mund të jenë konfidenciale.

    Pas më shumë se një vit qëndrimi në paraburgim në Hagë, ish-pjesëtari i UÇK-së Hysni Gucati është paraqitur në bankën e dëshmitarit para trupit gjykues.

    Aty, Gucati ka thënë se dokumentet të cilat kishin arritur nga një person i panjohur në zyrat e organizatës nuk janë kopjuar nga asnjë zyrtar i OVL-UÇK.

    “Deri vonë nuk e kam parë konfidenciale që ka shënuar por unë kam thënë që ato dokumente nuk e kemi parë të arsyeshme që ne të jemi sigurim i atyre dokumenteve apo t’i ruajmë sepse nuk kanë qenë dokumentet tona. Me më pas thënë dikush që dalin dokumentacione nga Gjykata Speciale nuk kisha besuar, kjo është arsyeja dhe prapë nuk besoj si ka qenë e mundur që këto dokumente të dalin nga zyrat tuaja, kjo mund të jetë ndonjë lajthitje, ndonjë kurth që na keni bërë neve apo ndonjë prapavijë që ju e dini më mirë se ne, kështu unë mendoj”, ka thënë Gucati.

    Derisa i është përgjigjur pyetjeve të prokurores Valeria Bolici, Gucati ka thënë se një hetues i Speciales, i cili fliste shqip, se ka shkuar në OVL-UÇK për t’i marrë dokumentet dhe i ka thënë se një gjë të tillë e bënë pas verifikimit që ato janë të Speciales.

    Aty, ai thotë të jetë bërë pranim dorëzimi me një letër të cilën e kanë nënshkruar, por mohon të ketë pasur edhe një tjetër urdhër që i ndalon të publikojnë dokumente të tilla.

    “Letër të shkruar nuk kam pas, me gojë më ka thënë hetuesi i juaj që fliste shqip më ka thënë me gojë në mes të katër syve kemi qenë duke pirë kafe, ka qenë edhe një hetues suedez edhe një përkthyes. Hetuesi juaj më thotë është e ndaluar që të shumëzohen dokumentacione dhe të shpërndahen, me gojë jo diçka me shkrim, me shkrim ka qenë urdhri për ta marrë dokumentacionin dhe në dokumentacionin e majtë që thash më herët që është në dorën e majtë të Tomës është dorëzim-pranimi i dokumenteve, kjo është krejt”, ka thënë ai.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!