×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj: Në dosjet e Speciales kam parë tmerr, falënderoheshin prokurorët serbë

    Reporteri
    11 Janar 2022 | 15:39

    Nasim Haradinaj ka thënë se në dokumentet që kishin arritur në organizatë, kanë parë korrespodenca të kryeprokurorit të ZPS-së me prokurorë të Serbisë ku ndër të tjera ka thënë se ishte edhe një letër-falënderim që ZPS u kishte drejtuar atyre. Haradinaj po vazhdon dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës rreth paketave që ishin sekuestruar në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

    Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se dosjet nuk i kanë kopjuar dhe as nuk kanë pasur interesim për emra të dëshmitarëve apo për publikimin e tyre.

    Sipas tij, ngjarja me dokumentet e arritura nga një person i panjohur në OVL-UÇK, ishte në interes për publikun dhe organizata e ka bërë të ditur për shkak të transparencës.

    “Pamë që kanë qenë më shumë korrespodencë e kryeprokurorit, e zëvendëskryeprokurorit, korrespodencë me Vukçeviçin, me numrin katër, se nuk latë me ja përmend emrin do të thotë koordinatorin, përveç korrespodencës ka pasur edhe fletë-falënderim për bashkëpunimin e mirë që po e bëjnë dhe kontributin që po e japin për këtë Zyrë të prokurorit. Për mua ka qenë dëshpëruese, shumë dëshpëruese është edhe sot. Nuk e kam parë asnjë falënderim të ndonjë organizmi të shtetit tonë, as prokurorisë sonë, as ndonjë shqiptar. Ndoshta ka mundur me qenë se unë të gjitha faqet nuk i kam shikuar, por në ato që i kam shikuar nuk e kam parë. Kam parë kërkesa, që kishin thirrur t’ua sigurojnë vendet në Serbi, personave të caktuar, tmerr kam parë, për aq pak që kam parë, tmerr kam parë”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se konferencat i kanë thirrur për shkak të interesit publik.

    “Mbi bazën e transparencës, ka qenë i ngulfatur opinioni me lloj-lloj thashethemesh, ka qenë i ngulfatur, replika, mendime të ndryshme, spekulime, nuk ka pasur send më të nevojshme se sa me qenë transparent me publikun me u pa se çfarë janë këto, çfarëdo qofshin, qofshin provokim, qofshin kurth, qofshin vet të tyre, ka qenë interes kjo me u ditë çka po bëhet. Ne do të kishim bërë në një farë mënyrë thyerje të ligjit të demokracisë, transparencës dhe interesit publik po të mos e kishim bërë këtë punë”, ka thënë ai.

    Haradinaj ka thënë se Zyra e Prokurorit të specializuar nuk i ka kontaktuar pas daljes publike përmes konferencës.

    “Zotëri avokat sa për dijeni, dy orë prej Prishtinës derisa më kanë sjellë këtu, këta e kanë pasur 15 minuta zyrën deri në zyre tonë, këta të kishin dashur, hajde mirë të parën herë, por dytën herë e të tretën herë kurrë nuk kishin mundur të mbërrijnë gazetarët para tyre, se informata ka qenë publike. Dhe potencial kanë pasur boll se e pamë atë ditë kur arrestuan, mbi 50 forca të armatosura me maska, pa maska, pushkë e të gjatë e snajperë, kështu që edhe potencial kishin pasur boll t’i rrethojnë të gjitha me i marrë, edhe kush nuk ua kish ndalë, sepse nuk ua kemi ndalë kur kanë ardhur t’i marrin, ua kemi dhënë”, ka thënë Haradinaj.

    Nasim Haradinaj ka treguar që një ditë pas datës 7 shator 2020 kur kishin arritur dosjet e para në OVL-UÇK, ai kishte udhëtuar për në Shqipëri në një pushim të planifikuar paraprakisht me familje.

    Sipas tij, pas disa ditëve derisa po kthehej në Kosovë, të zona e kufirit, ai është përcjellë nga një veturë të cilën fillimisht ka thënë se nuk i ka kushtuar mjaft vëmendje por më vonë ka ardhur në përfundim se mund të ketë qenë nga hetuesit e Speciales.

    “Shqetësimi i madh i parë ishte tentimi për të na sabotuar neve ose të na montohet diçka, sepse dikujt nuk i shkonim për qejfi, në fakt nuk i shkonim për qejfi as qeverisë, as Dhomave të Specializuara. Shqetësimi i dytë ishte nëse janë të vërteta, ishte skandal se asnjëherë nuk kemi guxuar ta besojmë që kanë rrjedh prej tyre, ishte e pabesueshme sepse krejt arsyeja që ne u bë me dalë këto gjykata jashtë Kosovës ka qenë mbajtja e sekretit, kjo ka qenë, mos mundësia e keqpërdorimit të dokumenteve dhe dukej e palogjikshme të vinin prej atje tek ne, ky nuk është shqetësim i vogël as sot”, ka thënë Haradinaj.

    Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

    Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!