Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e jashtëzakonshme për çmimin dhe faturimin e rrymës ka thënë se anulimi i termocentralit, projektit “Kosova e Re” ka qenë dëmi më i madh i Kosovës që nga paslufta, shkruan Reporteri.net.
Sipas Haradinajt shkaktari kryesor është Albin Kurti dhe grupi përreth tij. Ai shtoi se me këtë Kurti e ka dorëzuar pavarësinë energjetike të Kosovës, tek Serbia.
“Anulimi i termocentralit të ri, projektit “Kosova e Re” është dëmi më i madh që i është shkaktuar Kosovës pas luftës. Shkaktari kryesor i anulimit të këtij projekti është Albin Kurti dhe grupi rreth tij. Kosovën Albin Kurti e ka lënë pa një termocentral të ri 500 megavat. E ka dorëzuar pavarësinë energjetike të Kosovës, dihet se ku. Ky është një fakt që askush në këtë sallë nuk mundet me i bë bisht. Kjo është një e vërtetë që s’ka me ndryshu kurrë. Dikush u kujdes me vite tana që mos me lënë Kosovën, pra ka punue. Serbia nuk ka krijuar fitore më të madhe pas 99 se këtë dështim të termocentralit të ri dhe pastaj dorëzimit të Kosovës te Serbia. Kjo është e vërtetë. E lus krejt VV-në, interesonu rreth kësaj. Këtu janë njerëzit që e kanë shkaktuar këtë goditje ndaj Kosovës dhe s’mund të fshihen. Nuk kanë marrë masa me prodhu, kriju burime të reja energjetike sepse rreth tyre janë grumbulluar mafia energjetike e ballkanit të cilën e dominojnë serbët dhe këtë e dinë të gjithë”, tha Haradinaj.
Ai tha se për emërime në KEK vendos Albin Kurti dhe Dejona Mihalit, e një gjë e tillë ai shtoi se ndodh dhe në ZRrE dhe KOSTT.
“Askush prej juve këtu s’mund të emëroni dikë në KEK as ministra të VV-së. Vetëm Albin Kurti e Dejona vendos. Në ZRrE vetëm Albin Kurti e Dejona vendos e tani edhe në KOSTT, një nip i ministrit është kryeshef. Dhe me ligjin e ri po i propozohet Kosovës mos me i raportu KOSTT-i Parlamentit, por me i raportu qeverisë sepse po duan ta mbyllin qarkun e tregtisë së energjisë dhe me ia lënë të lira duart mafisë së energjisë me bë edhe më keq Kosovën”, shtoi ai.
Haradinaj tha se në energji, Kurti dhe Mihali janë “kryehajni” dhe “kryehajnesha”, por që siç tha ai lista vazhdon të jetë e gjatë.
“Nuk po them mos rrini në parti të atij që e ka bërë kështu, por diskutoni dhe mos lejoni me ndodh kjo masakër energjetike që po i ndodh këtij vendi, nëse nuk ndërmarrim veprime dëmet do të rriten. Albin Kurti nuk lodhet për këtë, e ka përgatit një pako tash në qershor me i shpërnda disa pare. Ekziston lidhja e shkurt e hajnisë në energji, kryehajni është Albin Kurti e kryehajnesha është Dejona Mihali dhe vazhdon një listë e gjatë”, tha Haradinaj.
/Reporteri.net/