×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj: Një takim me Trumpin dhe e suspendoj taksën

    Reporteri
    14 Mars 2019 | 21:10

    Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa do të pezullohej menjëherë nëse do të kishte një kontratë që Serbia në fund të dialogut do të njihte Kosovën.


    Haradinaj ka thënë se Kosova nuk ka problem bilaterale me Amerikën për shkak të taksës.

    “Produktet e Amerikës kanë shumë alternativa për të arritur në Kosovë. Në fillim ndoshta ndonjë kompani ka pasur shqetësim por tashmë i kanë gjetur rrugët e veta”, tha ai.

    Kryeministri ka thënë se duhet të jetë e qartë se taksa nuk do të largohet pa njohje, por sipas tij ekzistojnë mundësitë për t’u pezulluar ajo nëse është përgatitur një kontratë për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Kur kam shkruar letrën e parë në kundërpërgjigje në planin ndërkombëtar për të treguar se Kosova nuk është bllokues e proceseve, kam thënë se nëse Presidenti Trump i fton palët, ne menjëherë e suspendojmë taksën pasi aty dihet ka diçka serioze – ka kontratë”, ka thënë Haradinaj në TV Dukagjini.

    Haradinaj ka thënë se Kosova nuk e ka mbyllur derën për taksën, por stërzgjatja e procesit të dialogut po i jep mundësi Serbisë t’i konsolidojë pozitat ndërkombëtare.

    “Po u them amerikanëve dhe anglezëve të detyrojnë Serbinë të ndalojë blerjen e armëve në Moskë në vlerë të mallit që shet në Kosovë, po e shqyrtojmë edhe ne pozicionin tonë [për taksën]”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj.

    Tutje, Kryeministri Haradinaj, tha se taksa nuk është problem si taksë, por është kthyer në problem kur është bërë pengesë për dialogun, dhe si e tillë është kërkuar të suspendohet.

    “Unë nuk jam kundër për me suspendu taksën, por në ndërrim të një kontrate për njohje”, tha Haradinaj në Dukagjin.

    “Ne e dim se jemi të vegjël por mos na rëndoni më shumë, edhe ashtu na keni rënduar, na lejoni të mbijetojmë procesin e brendshëm me vendimin në fuqi”, u shpreh ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!