Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar dialog dhe marrëveshje urgjente politike për çështjen e kreut të shtetit, duke tërhequr vërejtjen se mosarritja e një konsensusi do ta çojë vendin drejt një cikli të ri zgjedhor krejtësisht të panevojshëm dhe pa rezultat të ri.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se zgjidhja e nyjës politike për Presidentin përbën hapin kryesor për të dalë nga bllokada institucionale.
“Është evidente që pa marrëveshje për të i çelet rrugë një procesi të ri zgjedhor, që praktikisht nuk do të sjellë asgjë të re. Aq më pak zgjidhje,” ka deklaruar Haxhiu në reagimin e saj.
Sipas saj, proceset e fundit zgjedhore me rezultate të ngjashme janë dëshmi se vendi ka nevojë për bashkëpunim politik dhe se mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme vetëm sa e dëmton buxhetin dhe interesin e qytetarëve.
Ajo ka shprehur keqardhje për refuzimin e ftesës për takim konsultativ nga partitë opozitare si PDK dhe AAK, duke e cilësuar këtë qasje si një veprim të pamatur dhe mungesë të vullnetit për të tejkaluar barrikadimet politike. Në fund, Haxhiu ka bërë thirrje për reflektim deri ditën e martë, me qëllim që takimi i thirrur të shërbejë për gjetjen e një zgjidhjeje konkrete. /Reporteri.net