Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se me kushtet që kryeministri Albin Kurti i ka vendosur, në fakt do e mbajë të kushtëzuar Kosovën e jo Serbinë.
Haziri përmes një shkrimi në Facebook tha se Kosova duhet të negociojë me BE-në për procesin e normalizimit, ku Serbia nuk do të ketë fuqi ta dëmtojë progresin europian të Kosovës.
“Sot në Kosovë mendohet që kemi vendosur kushte për Serbinë, në fakt Kosova i ka vendosur kushte vetës nga politika e Kurtit, Kosova është në kushte dhe Kurti po zbaton politikë të kushëzimit në emër të Kosovës. Kjo mendësi administrimi në emër të Kosovës pardje në Bruksel u konfirmua në emër të politikave për konsum të brendshëm në Kosovë e jo ndaj Serbisë”.
Sipas tij, Kosova nuk po anëtarësohet në Këshillin e Europës se kemi kushtëzim me vendimin qeverisë për draft-statutin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Aplikacioni ynë në BE ka dy vite që rri i mbyllur. Kërkesa prej 932 milionë euro nuk është hapur, po ashtu, mosftesa e Kosovës si e vetme nga Ballkani perëndimor në Komitetin për kohezion socio-ekonomik në BE-së dhe në fund propozimi për largimin e shkallëzuar të masave ndëshkuese ndaj Kosovë”.
Ai thotë Serbia ka qenë e kushtëzuar nga partnerët e Kosovës, ndërsa tani kryeministri Kurti vetëm i ka përsëritur ato kushte.
“Serbia ka qenë e kushtëzuar nga partnerët e Kosovës me bashkëpunimin në rastin e sulmit terrorist në Manastirin e Banjska. Ata kanë edhe dy kushte tjera nga BE, NATO dhe SHBA. Kurti vetëm ka përsërit diçka që partnerët tanë kanë kërkuar nga Serbia por nga ne kanë kërkuar konstruktivitet, pragmatizëm dhe veprim konkret e të pakthyeshëm.
Sot në Kosovë mendohet që kemi vendosur kushte për Serbinë, por në fakt Kosova ka vendosur kushte për vetën e saj nga politika e Kurtit”.