×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Haziri: Masat ndëshkuese do t’i prekin eksponentë të LVV-së dhe Listës Guxo, jo qytetarët

    Reporteri
    22 Shtator 2023 | 14:02
    Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK'së

    Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, thotë se ngecja në dialog po ndodh si shkak i Kryeministrit Kurti, dhe deklaratave të tij se Kosova dhe Serbia janë të pabarabarta në tryezë në sytë e Bashkimit Evropian.

    Tetë runde dialogu, pa rezultat, Haziri tha se po i kushtojnë Kosovës me masa ndëshkimi, shkruan Reporteri.net.

    “Nuk po presim me pasë rikonfigurim të dialogut sepse situata e tillë kur kemi ngërçe të tilla të shkaktuara, ajo që po quhet pabarazi në dialog nga ana e kryeministrit në përfaqësim edhe në gjithçka që deri tash e kemi identifiku, sepse janë mbajtë tetë runde të takimeve në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe nuk kanë sjellë asnjë rezultat”, deklaroi Haziri në ATV.

    “Përkundrazi Kosova tani është në masa ndëshkimi, me efekte në Qeveri, në ekzekutiv, por çmimin e kanë paguar FSK-ja e para dhe tani kufizimi i lëvizjes së lirë dhe takimeve sipas një agjende të programuar, shumë ministrave të Qeverisë që lidhen me MSA, marrëdhënia e parë që ne si Qeveri e kemi sjellë, LDK-ja”.

    Mirëpo, pavarësisht se pati paralajmërime për dënime kolektive nga BE-ja, sipas Hazirit, ata që do ndëshkohen janë eksponentë politikë të pushtetit, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo.

    “Paralajmërim tek masa e vizave dhe liberalizimi, por ky është dënim kolektiv. Duhet me e falënderua shumë Berlinin sa që nuk lejoi me u zgjeru drejt një dënimi kolektiv, por masat ndëshkuese do të jenë ndaj zyrtarëve, eksponentëve politikë që i bjen Vetëvendosja e GUXO në këtë qeverisje të koalicionit si dhe pakicave të partnerëve të koalicionit”, tha Haziri.

    Për ndëshkimin e BE-së ndaj Kosovës, ka folur edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Escobar ka folur edhe për pasojat e mundshme ndaj Kosovës.

    “Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim”, tha ai.

    Ai tha se këto po ndikojnë keq në ekonominë e Kosovës.

    “Shikoni, unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Evropian. Por, ne do të kishim dëshirë të shihnim një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu”, u shpreh tutje. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!