×
  • Lajme
  • Lajme / Audio-incizimi

    Heshtja e Kusari-Lilës për telefonatën me Radoiçiqin

    Reporteri
    04 Qershor 2024 | 13:37

    Emri i saj është lakuar fort të hënën mbrëma kur u publikua një sekuencë e telefonatës së saj me terroristin Milan Radoiçiq. Mirëpo shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, një ditë më vonë nuk është bërë e gjallë.

    Protagonistja e bisedës me Slavko Simiqin, gjatë të cilës ishte telefonuar edhe Radoiçiqi, që bisedoi për pak minuta me të, nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike nga gazeta online Reporteri.net.

    Partia nuk i doli në mbrojtje. Zëvendësi i Vetëvendosjes Arlind Manxhuka tentoi të largonte përgjegjësinë e partisë së tij në lidhje me telefonatën mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit.

    “Trashëgimia e keqe e tyre nuk bëhet dot mëkat i yni. Ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot. Me neve Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar Manxhuka.

    “Kjo është sa për përkujtim për të gjithë korin kritikues e akuzues që i kemi dëgjuar dje e sot. Tjerat i gjykon më së mirë qytetari. Ai më së miri e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radoiçiq para qeverisë sonë, dhe ku janë sot”, ka shtuar ai.

    Në publikimin e audio-incizimit gjatë vitit të kaluar, Simiq kishte pretenduar se Kusari-Lila kishte biseduar nëpërmjet telefonit me Radoiçiqin.

    Shefja e grupit parlamentar të VV-së nëpër emisione televizive kishte mohuar se kishte folur në telefon me Radoiçiqin. Por asnjëherë qartë. Më vonë kishte deklaruar se ka folur me Radojçiqin vetëm pasi Simiq e kishte lëshuar në “internon” telefonatën me kriminelin serb gjatë takimit që kishte me Kusari-Lilën.

    ”Unë personalisht asnjëherë në jetë nuk e kam takuar. Unë nuk mund t’ia ndalojë Sllavko Simiq-it ta thërret Radoiçiqin. Ai ka lëshuar në interfon që ta dëgjojë për pakënaqësitë që ai i kishte me gjërat që ndodhnin në terren”, ishte arsyetuar Kusari-Lila në një deklaratë për Klan Kosova më 10 korrik 2023.

    Në audio-incizimet e së hënës që i publikoi Nacionale, Simiq e telefonon Kusari-Lilën dhe i tregon se është bashkë me Radoiçiqin, të cilit ia kalon telefonin.

    “Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiq deputetes së VV-së.

    “Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.

    “Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radoiçiqi.

    “Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.

    Radojçiq: “Qysh je? Qysh po kalon?

    Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.

    Sekuencën e bisedës e cila besohet se është zhvilluar në qershor të vitit 2022, e ka publikuar Nacionale.

    Biseda ishte zhvilluar në kohën kur Milan Radoiçiqi ishte përfshirë në Listën e Zezë.

    Një vit më vonë në fund të muajit shtator, Radoiçiqi ishte pjesë e grupit terrorist që sulmoi në Banjskë duke lënë të vrarë policin e Kosovës, Afrim Bunjakun.

    Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve me njësitet speciale të Kosovës. Pjesa tjetër e grupit arriti të ikte në drejtim të Serbisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!