×
  • Lajme
  • Lajme

    Histeri në entitetin serb të Bosnjes – “NATO-ja mund të na okupojë”

    Reporteri
    16 Gusht 2022 | 11:16

    Masat e posaçme të lajmëruara nga Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Bosnje-Hercegovinë i ka kundërshtuar dekani i Fakultetit të Sigurisë në Banja Llukë, Predrag Çeraniç.

    Kjo, sipas profesorit të afërt me nacionalistin Milorad Dodik, për shkak të kundërshtimit të “Republika Srpska”-s, dhe se sipas tij, e vetmja gjë që Aleanca e Atlantikut të Veriut mund të bëjë “është të na okupojë”.

    Në lidhje me korrespodencën e zhvilluar mes kryediplomates boshnjake, Biserka Turkoviç dhe sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se Aleanca për përgatit një pako speciale masash që për qëllim kanë të kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të BeH-së, profesori serb tha se Turkoviç “nuk është e autorizuar të veprojë në këtë mënyrë”.

    Këtë, ai e arsyetoi me atë se Presidenca trepalëshe e Bosnje-Hercegovinës, “është përgjegjëse për politikën e jashtme, të sigurisë, mbrojtjes dhe çështje tjera të interesit të sigurisë në vend”.

    “Sidoqoftë, praktika është bërë asisoji që Bosnje-Hercegovina të ketë gjithkë që bën çfarë të dojë, veçanërisht ministrat e SDA-së të cilët zbatojnë politika të pajtimeve partiake dhe nuk i kushtojnë vëmendje mendimit të përfaqësuesve legjitimë të dy popujve tjerë konstituitiv [serbëve dhe kroatëve]”, ka thënë ai, raportoi Slobodna-Bosna, transmeton “Reporteri.net”.

    Profesori serb tha se “publiku nuk është dijeni rreth masave të NATO-s”, dhe se serbët, sipas tij, “nuk do të pranojnë të shkelet e kërcënohet sovraniteti i republikës serbe të Bosnjes”.

    “Tani, NATO-ja mund ta okupojë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, por kjo është tjetër çështje, ajo është tjetër marrëdhënie”, tha Çeraniç.

    Kundërshtuesi i zëshëm serb i NATO-s, njëjtë si kasta politike udhëheqëse e nacionalistit Milorad Dodik, tha se Kuvendi Kombëtar i entitet serb (NARS) do të kundërshtojnë një gjë të tillë.

    Pyetur nëse NATO-ja mund të “rrëzojë” mazhorancën e parlamentit të Srpska-s, Çeraniç tha se “ka faktorë të jashtëm që provojnë të ushtrojnë ndikim në  zgjedhjet e ardhshme të tetorit”.

    Që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë, forca paqeruajtëse evropiane e NATO-së në Bosnje-Hercegovinë, EUFOR, ka rritur prezencën ushtarake në BeH, dhe ka intensifikuar vëmendjen ndaj rreziqeve potenciale të bartjes së konfliktit në vendin më të brishtë në rajon.

    Lideri nacionalist serbe vazhdimisht proklamon se do të shkëputet nga institucionet e vendit, si dhe paralajmëron se republika serbe e Bosnjes do të shpall pavarësinë.

    Bosnje-Hercegovinën Milorad Dodik e quan shtet të dështuar dhe jo funksional “që duhet të shpërbëhet”.

    Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Mbretëria e Bashkuar, qëndrojnë të prerë në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës, shkruan “Reporteri.net”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!