Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti në një intervistë për gazetën online Reporteri.net. ka komentuar punën e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.
“Është për keqardhje se në çfarë niveli ka rënë politika e jashtme e Kosovës. Asnjë njohje, asnjë anëtarësim dhe vetëm sanksione e qortime nga aleatët. Proceset integruese për Kosovën kanë sukses vetëm kur koordinohen me miqtë. Konfrontimi me ta shpie në izolim, siç na ka ndodhur tani”, ka thënë Hoti në këtë intervistë.
Hoti: Kurti e ktheu dialogun në pikën zero, sulmet ndaj mediave si në shtetet totalitare
“Gabimet prej amatoreje të Ministres së Jashtme dhe moskordinimi i Kurtit dhe Osmanit, duke premtuar e duke mos realizuar asgjë, e kanë sjellë Kosovën në pikën më të ulët sa i përket marrëdhënieve me aleatët. Dorëheqja e kësaj qeverie do të hapte rrugën për të filluar një qasje të re në politikën e jashtme”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Hoti është pyetur edhe për zhvillimet e fundit në politikën amerikane. Një javë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden konfirmoi se nuk do të garonte për mandatin e dytë si president. Ndërkaq në Shtëpinë e Bardhë mund të kthehet republikani Donald Trump. Por, Hoti ka thënë se aleanca e SHBA-së nuk lidhet me një administratë specifike.
“E thashë edhe më herët se aleanca me SHBA-në nuk lidhet me një administratë specifike. Presidenti Biden është një mik i hershëm i Kosovës. Padyshim që përkrahja e tij nga dita e parë ishte motivuese për ne. Por ky kryeministër dhe kjo qeveri vitin e kaluar e quanin Sekretarin e këtij Presidenti një njeri naiv, që ishte gabim i pafalshëm në politikën e jashtme”, ka thënë Hoti në këtë intervistë.
“Vetëm një qeveri që ka orientime joperëndimore mund të sillet kështu karshi aleatit kryesor të Kosovës. Besoj shumë se së shpejti do të jetë LDK-ja në qeveri dhe do ta kthejë besimin e aleatëve ndaj Kosovës”, ka thënë deputeti i LDK-së.