×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoti thotë se Qeveria ka ndërhyrë në organizimin sindikal – përmend Ligjin e Pagave

    Reporteri
    10 Dhjetor 2021 | 14:26
    Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës

    Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se është e papranueshme ndërhyrja e Qeverisë në pavarësinë e organizimit sindikal, duke përmendur se ende Ligji i pagave në sektorin publik nuk është çuar në Kuvend.

    Hoti shkroi në Facebook se Ligji ka qenë i gatshëm gjatë qeverisjes së tij, derisa ka shtuar se janë adresuar vërejtjet në Gjykatës Kushtetuese.

    “Në anën tjetër, në vend të dialogut social me sindikata për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për buxhetin dhe që do të ishte e pranueshme për të gjithë, ne po shohim konfrontime qeveri-sindikata dhe tendencë për ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e organizimit sindikal në Kosovë. Kjo sjellje është e papranueshme. Sindikatat janë institucione shoqërore të veçanta, të rregulluara dhe të mbrojtura me ligj. Ato kanë bartur barrën e ndryshimeve shoqërore e politike në Kosovë në vitet më të vështira”, thuhet në statusin e tij.

    Hoti theksoi se është obligim shtetëror që sindikatat të jenë pjesë e konsultimeve për Ligjin e pagave, “si dhe për shumë ligje dhe vendime të tjera shtetërore”.

    “Me këtë vonesë të procedimit në Kuvend të ligjit për paga në sektorin publik dhe mosinteresim të qeverisë për të adresuar shqetësimet e sindikatave, me të drejtë deputetë të opozitës marrin nisma për ndarje të buxhetit për paga. Ne do ta diskutojmë me shumë kujdes amandamentin për ndarjen e mjeteve për paga në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-se përpara seancës së Kuvendit më 22 dhjetor, kur votohet buxheti në lexim të dytë”, shkroi tutje deputeti i LDK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!