×
  • Lajme
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT

    Hovenier: Menaxhimi i veriut është i ndjeshëm, prandaj duam koordinim

    Reporteri
    11 Korrik 2023 | 12:32

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA-ja kërkon koordinim për menaxhim të veriut të Kosovës, pasi e sheh si të ndjeshme këtë çështje.

    Në një konferencë për media nga hapja zyrtare e një qendre biznesore në Pejë, Hovenier ka thënë se ShBA-ja dëshiron që Kosova t’i arrijë qëllimet e veta e se e mbështet një Kosovë demokratike dhe sovrane.

    “Do të thosha që SHBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke arritur qëllimet e veta. Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike. Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangin momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.

    Hovenier ka thënë se e ka të vështirë të përgjigjet nëse situata në veri është afër shtensionimit. Ka përsëritur qëndrimet e SHBA-së se pret implementim të plotë të marrëveshjeve e shmangie sa më të shpejtë të telasheve e pengesave.

    Ai ka refuzuar edhe të flasë për caktim afatesh për shtensionim. Por ka thënë se e sheh me urgjencë këtë çështje.

    Hovenier po ashtu ka thënë se ShBA-ja nuk do të flasë më shumë se ajo që ka thënë KFOR-i për rastin e tre policëve të Kosovës, që u kidnapuan nga forcat serbe.

    Për sanksionet e mundshme ndaj Serbisë, Hovenier ka thënë se duhet të flasë ambasadori amerikan në Serbi ose emisari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar. Megjithatë, ai ka vlerësuar se “nuk është Kosova e vetmja përgjegjëse për tensionet”. Sidoqoftë, ai ka thënë se ka pasur shqetësime për disa nga veprimet e Qeverisë në fund të majit.

    Ai ka thënë se frika e qytetarëve në veri është konkludim që Qeveria të punojë për shtensionim më të shpejtë./Koha

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!