×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoxha: Të izoluar padrejtësisht, Kosova nuk përbën rrezik të emigrimit ilegal

    Reporteri
    02 Maj 2019 | 15:40

    Procesi i liberalizimi të vizave për Kosovën po vazhdon të mbetet i paqartë. As takimet në Samitin e Berlinit nuk sollën lajm të mirë për kosovarët sa i përket kësaj çështje. Pala kosovare u kthye e zhgënjyer nga Berlini pasi nuk mori asnjë premtim për liberalizim, ndërsa presidenti Thaçi këtë proces e quajti diskriminues dhe zhgënjyes për vendin.


    Kundër liberalizimit të vizave për Kosovën po del të jetë presidenti francez, Emmanuel Macron. Të paktën kështu u raportua dje në media. Burime të DW-së, thanë se Macron është kundër një lëvizjeje të tillë për shkak të Shqipërisë. Sipas të njëjtave, Macron është ankuar se pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë në Francë është shtuar numri i emigrantëve të parregullt dhe kriminalitetit nga këto vende.

    E me këtë nuk po pajtohet ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Në një prononcim për lajmi.net, Hoxha ka thënë se rreziku për emigrantë nga ana e Kosovës nuk ekziston, pasi vendi ynë nuk bën pjesë as në mesin e 30 vendeve me kërkesat për azil.

    “Ne e kemi potencuar vazhdimisht se pjesa jonë e punës, në pajtim me udhërrëfyesin për liberalizim, është kryer më shumë se një vit. Sa i takon emigrimit ilegal dhe krimit që kanë kryer qytetarët e Kosovës, nuk përbën asnjë rrezik, ngase, Kosova nuk bën pjesë as në mesin e 30 vendeve me kërkesat e parashtruara për azil, as nuk përbëjnë përqindje të theksuar për kryerjen e krimeve”, ka deklaruar Hoxha.

    Sipas saj, liberalizimi nuk duhet të ndikohet për shkak të sjelljeve të një shteti tjetër.

    “Nuk duhet të ndikohet liberalizimi për shkak të sjelljeve të një shteti tjetër. Ne kemi theksuar se vendimi është në duar të Këshillit të Ministrave, por që është situatë e ndikuar me zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe fuqizimin e të djathtës në skenën politike evropiane, e cila liberalizimin si term, e përdorë për nevojat e brendshme, por që ka pasoja për neve, padrejtësisht”.

    Hoxha ka shtuar se nuk do të ndalen së lobuari edhe pse kushtet e kërkuara, janë plotësuar.

    “Edhe unë e kam thënë më herët se është zhgënjyese të mos kemi lajm të mirë për liberalizim nga Samiti i Berlinit, sepse, kushtet e kërkuara nga ne, janë plotësuar. Ne nuk do të ndalemi së lobuari, nuk do të ndalen angazhimet tona në zbatimin e MSA-së dhe Agjendës Evropiane të Reformave, sepse, rruga jonë integruese është pa alternativë”, ka theksuar ajo për lajmi.net.

    Tutje, Hoxha ka treguar rreth hapave të ardhshëm që do t’i ndërmarrin në këtë drejtim.

    “Ne do të bëjmë publike të arriturat tona, me partnerët tanë dhe përkrahësit e shtetësisë tonë, për zbatimin e reformave, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne padrejtësisht jemi të penguar për vlerën themelore të BE-së, lëvizjen e lirë. Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme, për qytetarët tanë dhe lëvizja e lirë, të varet nga puna jonë, e jo nga faktorët tjerë rastësor e rrethanorë”, ka përfunduar ministrja e Integrimeve.

    Përkundër, presidentit Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj sot u shpreh optimist për liberalizim vizash, duke u bazuar në deklaratat e ministrit të Brendshëm gjerman.

    “Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, ka konfirmuar se Gjermania është pro liberalizimit të vizave. Seehofer na ka pritur në oborr dhe rrugës për në takim na ka konfirmuar këtë qëndrim: na ka thënë “po” për vizat. Nuk është po e analizave dhe mendimeve por e njeriut në detyrë – ministër i Brendshëm. Kosovë urime liberalizimi i vizave”, ka thënë Haradinaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!