×
  • Lajme
  • Lajme

    Hysa: Takimet me Stoltenbergun, mesazh direkt ndaj politikave aventureske

    Reporteri
    17 Gusht 2022 | 10:15

    Takimi i së mërkures me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, mes kryeministrit kosovar Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, përkthehet në atë se “Perëndimi nuk dëshiron politika aventureske që kërcënojnë me hapje të një fronti të ri në Ballkan”, thotë ish-diplomati Ylber Hysa në një prononcim për “Reporteri.net”.

    Ky takim në Bruksel, që vjen si pasojë e ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës, Hysa thotë se “reflekton direkt logjikën Vis Major gjeopolitik të momentit”.

    Kjo, referuar “luftës dramatike në Ukrainë”, thotë ish-ambasadori, derisa shton se po qe se një përshkallëzim do të bartej edhe në këto zona “do të ishte dhuratë e madhe për Rusinë”.

    “Andaj edhe Stoltenberg, ndër të tjera, po përçon direkt këtë mesazh te [presidenti serb, Aleksand] Vuçiç dhe [kryeministri kosovar, Albin] Kurti, që të mos luajnë me zjarr”, shpjegon Hysa për “Reporteri”-n.

    Stoltenberg, një ditë para takimit të aranzhuar në Bruksel mes liderëve, do të zhvillojë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiç, në dritën e tensioneve të gjeneruara së fundmi në Veri të vendit, si pasojë e rezistencës lokale për të pranuar dy masa të reja reciproke të qeverisë kosovare.

    Tonet u ashpërsuan më 31 gusht, një ditë para se të nistte implementimi i masave, përkatësisht për ndalimin e targave që MPB-ja serbe i lëshon për veturat e serbëve të Kosovës, si dhe reciprocitetin për dokumente të udhëtimit për shtetasit serbë – masë kjo të cilën Serbia e ka aplikuar për vite të tëra ndaj shtetasve të Kosovës.

    Kryeministri Kurti ka shprehur shqetësimet e tij nëpër mediat e huaja se kërcënimi real për konflikt ishte ekzistent, derisa Vuçiç, në po të njëjtin lajtmotiv diskursiv, ka (para)lajmëruar për gjoja një përgatitje të dëbimit masiv të serbëve nga Kosova.

    Masat e qeverisë kosovare u shtynë për 30 ditë, përkatësisht deri më 1 shtator, pasi, siç u tha, kishte fushatë të madhe dezinformimi dhe frikësimi nga mediat serbe ndaj serbëve të Kosovës / Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!