Brenda 24 orësh, Ministria e Infrastrukturës në krye me Hysen Durmishin, e ka shpërblyer me dy kontrata të majme kompaninë “Bageri” pronar i së cilës tash është Leutrim Shabani, pasi Bujar Shabani këtë vit e ka shuar biznesin e tij individual, dhe e ka kaluar kompaninë në emër të djalit të tij.
Bujar Shabani, i cili para një viti u dënua për mashtrim në prokurim publik, biznesin e ka kaluar në dorë të djalit të tij, Leutrimit.
Pikërisht ditën që ai e ka shuar si biznes idividual kompaninë “N.P.SH.”Bageri” më 15 janar 2025, është regjistuar biznesi i ri “Bageri SH.P.K.”, si shoqëri aksionare me 100% të kapitalit të regjistuar në emër të Leutrim Shabanit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ky biznes veç këtë muaj, ka fituar dy kontrata nga Ministria e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Hysen Durmishi. Të dyjat në vlera gati gjysmë milionëshe dhe duke i shmangur procedurat e hapura të tenderimit, duke u nënshkruar me negocim direkt.
Kontrata e parë kësaj kompanie i është dhënë më 19 nëntor, për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale Prishtina 3.
Vlera e tenderit, që është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, është 559 mijë e 664 euro, me kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Hiç më larg se të nesërmen, Ministria e ka shpërblyer këtë kompani edhe me një kontratë tjetër.
Vlera e tenderit që është dhënë më 20 nëntor, poashtu përmes procedurës së negociuar, është 419 mijë e 811 euro. Kontrata është dhënë për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, saktësisht punët shtesë që kanë dalë në Lot 4.
Në këtë tender, “Bageri SH.P.K” ofertuar bashkë me “R&RUKOLLI”.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, pronar i kësaj kompanie që është regjistruar në janar të këtij viti, figuron Leutrim Shabani. Kompania figuron se ka veç katër punëtorë.
Leutrimi është djali i biznesmenit, Bujar Shabani, që është dost i Durmishit.

Shoqërinë me të e kishte konfirmuar vetë Durmishi, e madje edhe se kishte punuar në kompaninë e tij.
“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001. E kam shok…Ka pas një periudhë kur unë s’kam punu masi që kam dalë prej Komunës të Prishtinës, ku i kam ndihmun në kuptimin më shumë të organizimit”, kishte deklaruar Durmishi.

Para dy ditësh, është publikuar edhe një video e Durmishit me një anëtar tjetër të familjes Shabani.
Takimi raportohet se është zhvilluar para më shumë se një viti, në një kafene.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte dënuar me 15 mijë euro gjobë Bujar Shabanin, drejtor i kompanisë “Bageri”, i cili akuzohej për “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Pas më shumë se një muaji, janë bërë ndryshimet në pronësi./Reporteri.net