Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Ditën e Forcës e ka shënuar sot në Tiranë, në prag të 28 Nëntorit, Festës së Flamurit dhe 14-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në një postim, Kurti ka deklaruar se ushtria e Kosovës po kompletohet çdo ditë e më shumë, duke theksuar se gjatë mandatit të kaluar buxheti i ushtrisë është trefishuar.

Ai ka bërë të ditur se zotimi për mandatin aktual është investimi i mbi një miliard eurove në ushtri.

Reklamë

Kurti ka theksuar se janë rekrutuar 3 mijë e 220 ushtarë të rinj dhe se Kosova po i arrin kapacitetet ushtarake që ishin planifikuar për vitin 2028, duke përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave strategjike.

Sipas tij, për 12 vjet Forca e Sigurisë së Kosovës kishte vetëm një lloj pushke dhe një lloj pistolete, ndërsa gjatë qeverisjes së tij arsenali është zgjeruar në mbi 40 lloje sistemesh armatimi.

Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e fabrikës së parë të municioneve në Kosovë, e cila, sipas tij, do të jetë ndërmarrje publike dhe do të prodhojë me markë 100 për qind vendore.

“Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut dhe ushtria jonë të jetë pjesë e NATO-s”, ka shkruar Kurti.

Reklamë