Një shtetas turk, i cili u gjet me duar të gjakosura pas një përleshjeje në qendër të Prishtinës, dyshohet se ka sulmuar me shqelma dy zyrtarë policorë gjatë ndërhyrjes së tyre. Të dy policët kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa i dyshuari, i cili rezultoi të ishte nën ndikimin e alkoolit, është arrestuar.
Incidenti ka ndodhur më 19 tetor 2026, rreth orës 22:45, në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë.
Policia fillimisht kishte marrë informacion për një rrahje që ishte duke ndodhur në atë lokacion, ndaj një patrullë ishte nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.
Me të mbërritur, zyrtarët policorë kanë hasur në shtetasin turk, i identifikuar me inicialet M.T., rreth 27-vjeçar, i cili kishte duart e gjakosura dhe po shfaqte sjellje agresive.
Raportohet se gjatë ndërhyrjes policore i dyshuari ka nisur t’i sulmojë zyrtarët policorë, duke i goditur me shqelma në trup.
Si pasojë, dy policët kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
Gjatë procedurave policore, shtetasi turk i është nënshtruar testit të alkoolit nga i cili ka rezultuar me 1.14 promilë alkool.
Për rastin janë njoftuar njësitë përkatëse hetimore dhe Prokurori i Shtetit. Me vendim të këtij të fundit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”. /Reporteri.net/.