×
  • Lajme
  • Art/Kulturë

    I jepet lamtumira e fundit poetit Xhevdet Bajra

    Reporteri
    30 Qershor 2022 | 18:33

    Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se i është dhënë lamtumira e fundit poetit Xhevdet Bajra, i cili vdiq ditë më parë.

    Ai ka thënë se Rahoveci, vendlindja e poetit, përbënte thelbin e shpirtit të tij.

    “I dhamë sot lamtumirën e fundit poetit me përmasa botërore, të cilit inspirimi poetik i buronte nga dashuria e madhe që e ndjente dhe e shfaqte për vendlindjen e tij, Rahovecin e rrushit e të hardhive. Rahoveci përbënte thelbin e shpirtit të tij, sepse këtu ishte rritur e edukuar, këtu kishte njohur dashurinë e parë dhe këtu ishte mbrujtur me dashurinë për atdheun e tokën e të parëve”, ka shkruar Latifi.

    Kryetari i Rahovecit ka thënë se Bajra, përpara se të ishte poet e profesor i shquar i poezisë në Meksikën e largët, ishte njeri i mirë e me standarde të larta të etikës njerëzore.

    “Ishte një prej njerëzve të rrallë që mundte ta respektonte secilin, pa ngarkesën e paragjykimeve të çfarëdoshme. Xhevdeti iku duke lënë shumë poezi të pashkruara, por gjithashtu la edhe shumë sosh të shkruara, përmes të cilave do të jetojë në përjetësi. E thashë edhe në fjalimin që mbajta në funeralin e tij, ta kesh pjesë të kombit një poet si Xhevdet Bajraj është pasuri e paçmuar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Xhevdet Bajrajt, kombit shqiptar dhe artistëve kudo në botë, që e njohën dhe u shoqëruan me Xhevdetin. I paharruar qoftë kujtimi për poetin tonë të madh, Xhevdet Bajraj!”, ka shkruar në fund Latifi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!