Personi që mbeti i plagosur nga të shtënat në Livoç të Ulët të Gjilanit i është nënshtruar operacionit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla tha për Klan Kosova se i pacienti është në sallën e operimit dhe se gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë.

Ai shtoi se pas përfundimit të operacionit, i njëjti do të shtrohet në Klinikën e Mjekësisë Intensive për monitorim të gjendjes së tij shëndetësore.

Reklamë

“E rëndë është gjendja, është ende në sallë të operacionit. Pas operacionit do të transferohet në mjekim intensiv”, tha ai.

Viktima mbeti i plagosur nga dhëndri i familjes i cili vrau edhe dy persona tjerë, gruan dhe vëllain e saj.

Burri i dyshuar për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen është vetëdorëzuar në stacionin policor në Gjilan.

Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, që dyshohet se është përdorur në rast.

Dyshohet se ngjarjes së rëndë i kanë paraprirë probleme në çift, por Policia e Kosovës ka bërë të ditur se motivi ende nuk dihet.

Reklamë

Në një njoftim zyrtar, Policia ka bërë të ditur se informatën për të shtënat me armë zjarri në Livoç të Ulët e ka pranuar rreth orës 14:25.