Policia e Kosovës ka identifikuar shoferin i cili po drejtonte automjetin me shpejtësi prej 135 kilometrash në orë në një zonë në të cilën shpejtësia e lejuar ishte e kufizuar në 40 kilometra në orë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, zyrtarët policorë të Nënstacionit Policor në Pozheran e kanë identifikuar personin pasi një video-incizim ku shihej ngasja e automjetit ishte publikuar në rrjetet sociale.
Rasti ka ndodhur në një zonë ku me shenjë trafiku ishte përcaktuar kufizimi i shpejtësisë në 40 km/h, ndërsa automjeti ishte duke lëvizur me 135 km/h.
Ndaj shoferit, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, janë ndërmarrë masat përkatëse. Atij i është shqiptuar gjobë prej 400 eurosh, katër pikë negative, si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të përkohshëm të drejtimit të mjeteve motorike për nëntë muaj.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e trafikut.
Policia ka theksuar se tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.