×
  • Lajme
  • Lajme

    Ilir Deda, njeriu i të gjithëve dhe i askujt

    Reporteri
    13 Mars 2019 | 16:12

    Ilir Deda sot takoi, ndoshta edhe si rastësisht, ish-koleget e tij nga Vetëvendosje dhe FER-i, Shpend Ahmetin dhe Visar Imerin.


    Në një prononcim për media, ai e quajti këtë si një takim të rregullt për t’u informuar rreth procesit të dialogut me Serbinë. Shpend Ahmeti është bashkë-kryesues i Ekipit Shtetëror për Dialogun.

    Por, a është kjo fotografi shenja e parë se Ilir Deda, që tashmë nuk ka raporte të mira me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari –Lila, mund t’i bashkohet PSD-së? Kjo do të mbetet të shihet. Megjithatë, nëse e shikojmë historinë politike të Ilir Dedes, ai nuk e ka problem të kalojë nga një subjekt në tjetër.

    Në kohën e Qeverisë së Bajram Rexhepit, kur në koalicion ishin gati të gjitha partitë, Deda ishte këshilltar i kryeministrit që vinte nga PDK-ja.

    Kur kjo qeveri përfundoi punën, Deda iu kthye shoqërisë civile, e që kishte në fokus çështjet politike, kryesisht ato rreth statusit final të Kosovës.

    Në vitin 2010, bashkë me Shpend Ahmetin e shumë të tjerë e hapen partinë Fryma e Re, FER. Pas dështimit për ta kaluar pragun, Shpend Ahmeti me një grup tjetër kaluan në Vetëvendosje. Ilir Deda nuk e bëri këtë hap dhe pati një prishje mes të dyve. Por më vonë, edhe ai iu bashkua Vetëvendosjes. Deda u bë deputet, e Shpend Ahmeti kryetar i Prishtinës, shkruan Reporteri.net.

    Pas pak viteve, Deda vendosi të ndahej nga Vetëvendosje, dhe për këtë kishte një konferencë shtypi me ish-sekretarin e partisë, Dardan Molliqaj.

    Muaj më pas, Ilir Deda dhe Mimoza Kusari Lila formuam një parti të re. Kusari –Lila po i bashkohej Dedës nga ndarja që bëri me Aleancën Kosova e Re të Begjet Pacollit.

    Duke e parë që do ta kishin zor ta kalonin pragun, iu bashkuan në zgjedhjet e vitit 2017, koalicionit LDK-AKR. Ata të dy arritën të fitonin ulëse në Kuvend, por tash e disa muaj janë shkëputur nga Grupi Parlamentar i LDK-së dhe raportet mes tyre janë prishur, në veçanti rreth përkrahjes që njëri ose tjetri i kanë dhënë qeverisë në politika të ndryshme, qoftë buxhetit apo edhe dialogut.

    Tash e disa muaj nuk janë parë bashkë. Madje Mimoza Kusari Lila më shumë shihet e afërt me VV-në. E Deda në krahun tjetër, në krahun e ndarë nga VV-ja, që formuam tash gati një vit një parti të re, Partinë Social Demokrate.

    Dardan Molliqaj ishte ai që e përcolli në paqe Ilir Deden nga Vetëvendosje. Patën bashkë një konferencë për shtyp. A do ta kenë një të dytë? Kësaj radhe për t’u bërë bashkë në parti tjetër. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!