×
  • Lajme
  • Lajme

    Iluzione dëshpërimi, në Serbi nxjerrin video të Gjingjiçit kur kërkonte “rikthimin” e një mijë trupave serbe në Kosovë

    Reporteri
    13 Dhjetor 2022 | 15:36
    Ish-Kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiç

    Në një betejë për t’u treguar kush-më-i-pari se tjetri, skena politike dhe mediatike serbe u stërmbush me rrëfime se si Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është “i pari” që ka kërkuar “rikthimin” e një mijë trupave ushtarake serbe në Kosovë, duke u thirrur në Rezolutën 12/44.

    Megjithatë, një qëllim shovinist të tillë, e kishte pasur më 2003 edhe ish-kryeministri serb, Zoran Gjingjiç, të cilën e artikulonte në një paraqitje televizive, raportoi media serbe “Nova.rs”, transmeton Reporteri.net.

    “Po e kërkoj këtë, sa më parë të jetë e mundur, 10, 15 ose 20 ditë, të thuhet kur 1 mijë ushtarë dhe policë serbë do të mund të kthehen në Kosovë sipas Rezolutës 12/44. Le të thonë 1 mijë vite, por le ta thonë kur dhe ne do të veprojmë sipas asaj dhe të definojnë politikën tonë”, thoshte Gjingjiç atëkohë.

    Forcat serbe kanë nënshkruar kapitullimin e tyre në Marrëveshjen e Kumanovës, ndryshe e quajtur edhe si marrëveshje tekniko-ushtarake si eufemizëm për t’ia bërë më të lehtë vetes “disfatën” e pësuar në vitin 1999.

    Përndryshe, Aleksandar Vuçiç ka thënë se më 15 dhjetor do t’i kërkojë zyrtarisht NATO-s që të mund të “rikthejnë” një forcë prej rreth 1 mijë trupash serbe në Kosovë.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “kurrë më” nuk do të ketë forca serbe në territorin e Republikës së Kosovës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!