×
  • Lajme
  • Lajme

    Anton Quni: VV zhgënjeu në Prizren, LDK do të jetë shembull si qeveriset komuna – arkiva e UÇK-së nuk ka ekzistuar, temë e rrezikshme të përfshihet në dialog

    Reporteri
    12 Shtator 2021 | 19:02

    Autor: Blendi Gashi


    Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, kritikon mënyrën si Lëvizja Vetëvendosje qeverisi në katër vitet e fundit në qytetin historik, duke thënë se kryetari aktual zhgënjeu pritjet e qytetarëve për një qeverisje ndryshe në këtë komunë.


    Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net”, derisa shprehet i bindur se LDK do të marrë pushtetin në Prizren, thotë se VV si parti opozitare në këtë komunë pas zgjedhjeve të 17 tetorit, do të mësoj se si ai dhe ekipi i tij do të japin shembullin si qeveriset në shërbim të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë.

    Quni flet edhe për qeverisjen e Albin Kurtit, dhe për deklaratat e bëra nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi për ‘arkivat’ e UÇK-së, si dhe për tema tjera.

    Lexoni të plotë intervistën me kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net:

    REPORTERI.net: Jeni kandidat për kryetar të Prizrenit nga LDK. Si e morët vendimi për të garuar për të parin e qytetit historik?

    Anton Quni: Ishte kërkesë e strukturave të LDK-së nga dega ime në Prizren por edhe më gjërë, deri tek kryetari Abdixhiku, por njëkohësisht edhe pritje e shumë qytetarëve që unë të kandidohem. Vendimi nuk ishte i vështirë kur është reflektim i vullnetit të shumë mbështetësve dhe simpatizuesve, miqve e dashamirëve.

    Pse duhet prizrenasit të votojnë për kandidaturën tuaj? Me çfarë synoni t’i bindni që jeni njeriu i duhur për të qeverisur me Prizrenin?

    Anton Quni: Tani më qytetarët e kanë mundësinë të bëjnë vlerësime për qeverisjet e kaluara dhe të krahasojnë kualitetin e qeverisjes lokale, kur fillimisht ishte udhëhequr nga LDK, pastaj nga PDK dhe se fundi nga VV. Nëse kthehemi ne retrospektive për të shikuar konkretisht përformancën e qeverisjeve lokale tashmë qytetarët e Prizrenit janë të bindur se LDK-ja në atë kohë, pavarësisht mundësive të kufizuara buxhetore, ka bërë punë të mëdha të cilat edhe me tutje vazhdojnë të jenë trashëgimia që karakterizon Prizrenin; ndërkohë që pushtetet tjera, pavarësisht se ndër vite buxheti ishte rritur, qeverisja e tyre u karakterizua me problemet me ligjin, joefikasitet në ofrimin e shërbimeve, vonesa në kryerjen e projekteve dhe ngecje të zhvillimit ekonomik lokal, si kompetenca kryesore e një komunë e përcaktuar me ligjin për vetëqeverisjen lokale.

    Lidershipi, menaxhimi dhe përvoja institucionale janë përparësitë që unë posedoj, të cilat përkojnë me përgjegjësitë dhe kompetencat e përcaktuara sipas legjislacionit për vetëqeverisje lokale për Kryetarët e Komunave. Rrjedhimisht, gjithë eksperiencën time do t’a materializoj për të adresuar kërkesat dhe për të zgjidhur problemet e akumuluara të qytetarëve, për t’i përmirësuar shërbimet komunale dhe për të rritur kualitetin e qeverisjes lokale në Prizren.

    Cilat janë tre projektet e mëdha që ju synoni t’i realizoni nëse bëheni kryetar?
    Uji, trafiku, turizmi kulturor dhe historik, qendrat e rekreacionit dhe sportit, trajtimi i ujërave të zeza, etj janë disa nga prioritetet e mija. Natyrisht se një vëmendje të veçantë do t’a ketë arsimi, ambienti dhe shërbimet komunale në përgjithësi, si detyra të pakryera nga qeveritë e kaluara lokale.

    Si i vlerësoni kundërkandidatët tuaj? Në veçanti si e keni pare qeverisjen e VV-së, me të cilën për një kohë keni bashkëqeverisur por më pas i ndatë rrugët?

    Bindjet dhe pritjet ishin jashtëzakonisht të mëdha, sepse gjatë fushatës ishte proklamuar ndryshimi i madh për qeverisjen ndryshe, si një qeverisje model edhe për komunat e tjera; mirëpo, me kohë kjo qeverisje ishte kthyer në zhgënjim deri në përmasat e mashtrimit.

    Pas zgjedhjeve, ata, nga pozicioni i opozitës, duhet të mësojnë se si unë me ekipin tim do të japim shembullin më të mirë se si duhet kryej detyrën e vet Kryetari i komunës dhe i gjithë ekipi, në shërbim të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë, duke qenë në dispozicionin e tyre për të adresuar kërkesat në kohë reale, si dhe për të përmbushur detyrimet për shërbime cilësore komunale.

    Nëse fitoni garën për Prizrenin, preferoni më pas koalicion pazgjedhor me VV-në apo PDK-në?

    Preferoj të bashkëpunoj me të gjithë që kanë profil të lartë moral, profesional, atdhetar dhe institucional. Kemi vija të kuqe vetëm me ata që kanë probleme me ligjin apo individët dhe grupet e interesave të ngushta materiale.

    Ju për disa vite keni mbajtur edhe pozita të larta shtetërore. Si vlerësoni qeverisjen Kurti 2?

    Isha i bindur se ç’kapja e institucioneve, agjencive dhe organizatave, pastaj luftimi i nepotizmit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit etj, janë kauza të pakompromis. Mirëpo, tani jemi dëshmitarë të neokapjes dhe neonepotizmit që mund të jenë parakushte të rrezikshme për zëvendësimin e praktikave të qeverisjes së mirë, me krimin e organizuar dhe korrupsionit.

    Si e keni parë deklaratën e zv.kryeministrit Besnik Bislimi për siç ka thënë se Serbia është pajtuar për hapjen e arkivave, përfshirë edhe ato të UÇK-së?

    Zv/kryeministri Besnik Bislimi mbase nuk ka informacione të mjaftueshme se nuk ka ekzistuar në asnjë rrethanë ndonjë arkiv i centralizuar, i kategorizuar, apo i azhurnuar i UÇK-së. Një temë e tillë është e rrezikshme që të përfshihet në kuadër të dialogut, me ç’rast mund të krijohet bindja se ekziston arkivi i UÇK-së, të cilin fakt pala serbe do të përpiqet t’a kapitalizojë me pretekstin se arkivat ekzistojnë, por ato nuk hapen sepse pala e Kosovës, nuk është e gatshme për të zbardhur fatin e të zhdukurve.

    Nga informatat që kam, sepse isha vet protagonist i luftës çlirimtare, me siguri ushtarakët kanë mbajtur shënime personale, por ato nuk janë të përmbledhura në arkivat e komandave apo shtabeve superiore. Edhe gjatë fazave të çmilitarizimit të UÇK-së, nuk kishte plan për arkivimin e dokumenteve, përveç shpërbërjes së njësive dhe deponimit të armatimit. Sidoqoftë, me dokumente dhe fakte na duhet ta bindim faktorin ndërkombëtar se forcat serbe ishin ato që në mënyrë sistematike dhe metodike ushtruan terror deri në përmasa të gjenocidit ndaj popullatës civile shqiptare. Sepse ekziston vetëm një arkivë, vetëm arkivi i gjallë i kujtimeve të familjarëve të martirëve, dëshmorëve, të dhunuarve dhe të shpërngulurve nga vatrat e tyre shekullore.

    Krejt në fund, si e vlerësoni deri tani drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes nga Armend Mehaj, ministri të cilën e keni qeverisur për një kohë?

    Çdo avancim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes e në veçanti në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së më bën të ndjehem mire. Në Ministrinë e Mbrojtjes janë të gjitha parakushtet që të punohet mire. Uroj që kështu të vazhdohet, në veçanti në implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, në koordinim të ngushtë dhe bashkërendim me SHBA-të dhe partnerët tjerë strategjikë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!