×
  • Lajme
  • Lajme

    INTERVISTË | Musliu-Shoshi e PDK-së: Hoxhaj e mori drejtimin e partisë kur ishim në një situatë të rëndë emocionale – Adelina Grainca e theu besimin e votuesve të saj

    Reporteri
    29 Prill 2021 | 16:17

    Autor: Blendi Gashi


    “Non paper” dhe vizita e kryeministrit Albin Kurti janë dy temat më aktuale në politikën kosovare. Si për të parën ashtu edhe të dytën janë ngjallur reagime të mëdha nga opozita.


    Gazeta Online “Reporteri.net” ka zhvilluar një intervistë me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi, e cila flet për dy temat e lartcekura, ku “non paper”-in, e prezantuar e quan një dokument të dëmshëm për vendin, kurse kritikon kryeministrin Kurti për mosinformim të krerëve të partive për vizitën e tij në Bruksel.

    Deputetja Shoshi-Musliu flet edhe për tema të tjera, për dialogun me Serbinë, qeverisjen një mujore të kryeministrit Kurti, për ligjin për konfiskimin e pasurisë, gjendjen në PDK dhe zërat brenda kësaj partie për reforma dhe tema tjera.

    Natyrisht ka komentuar edhe largimin e Adelina Graincës nga PDK-ja, dhe kalimin e saj në Vetëvendosje.

    Lexojeni të plotë intervistën me deputeten e PDK-së, Ariana Shoshi-Musliu, dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

    REPORTERI.net: Në media ditëve të fundit ka qarkulluar një “Non Paper” ku parashihet “autonomi për Veriun dhe krijim të Asociacionit. A e keni parë, dhe ç’mendim keni për të?

    Ariana Shoshi-Musliu: Nuk mendoj që këto “Non paper” janë të rastësishme, mendoj që këto janë balona të cilët lëshohen në opinionin publik, dhe pastaj shikohet reagimi nga liderët politikë, shoqëria civile, nga personat tjerë që merren me këtë fushë.

    Kërkoj nga Qeveria që të distancohet nga kjo çështje, sepse si PDK e vlerësojmë që përmbajta e saj është shumë e dëmshme për Kosovën.

    A besoni se Kurti mund të ketë qenë në dijeni se ekziston një dokument i tillë, dhe si e shihni procesin e dialogut?

    Nuk e di, nuk kam informatë.

    Mendoj që kryeministri Kurti, ministrja e Jashtme dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi para se të shkojnë në Bruksel është dashur të kenë takime me liderët politik që t’i njoftojnë lidhur me qëndrimet që si qeveri do t’i kenë në raport me dialogun me Serbinë.

    Ne do ta kemi në Komision për Punë të Jashtme zv.kryeministrin Bislimi ditën e mërkurë të javës së ardhshme, ku do të raportojë për vizitat në Bruksel, por gjithsesi për të raportuar para Komisionit duhet të vijë edhe ministrja e Punëve të Jashtme.

    Kryeministri Kurti gjendet për vizitë zyrtare në Bruksel, aty nuk dyshoj se është diskutuar edhe për dialogun me Serbinë.

    Z. Kurti duhet ta ketë të qartë se nuk bën të zhvillohet një dialog ku njohja finale dhe reciproke nuk është në tavolinë, nëse kjo nuk ndodh, dialogu për çështje teknike është i papranueshëm.

    Dialogu duhet ta ketë gjithsesi garancën e SHBA-ve, nuk duhet të shkohet pa platformë dhe strategji të qartë, pa një konsensus të brendshëm të partive politike, dhe siç e thash të ketë njohje finale reciproke.

    Si e vlerësoni punën një mujore të qeverisë Kurti?

    Si qytetare dhe deputete jam mjaft e shqetësuar me mënyrën se si është duke funksionuar Qeveria Kurti 2.

    Nuk është se pres ndonjë mrekulli, por duhet të jenë të përgjegjshëm sepse i kanë marrë mbi 50% të votave të qytetarëve, pra ky është besim që ai nuk duhet ta shkelë, por duhet të punojë me përkushtim dhe përgjegjësi.

    Deri tani jemi në një terr informativ, nuk ka një plan të qeverisë, nuk ka një plan si do t’i qaset pandemisë, ekonomisë, sundimit të ligjit dhe politikës së jashtme, e në veçanti dialogut.

    Për këtë fundit edhe pse thotë se nuk është prioriteti i tij i parë, fakti që vizitën e parë e ka në Bruksel tregon që dialogu është prioritet deshi apo jo kryeministri Kurti.

    Qeveria ka miratuar koncept dokumentin për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme. Si e shihni këtë dhe a ka arsye të frikësohet ndokush prej këtij ligji?

    Kjo është një nismë shumë e mirë, por që është nisur nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe tani është vazhdim i qeverisë Kurti.

    Këtë nismë e përkrahi dhe mendoj se është e nevojshme. Kushdo që di që është i pastër nuk ka arsye të frikësohet nga një ligj i tillë, në të kundërtën është përgjegjësi e secilit.

    Të kthehemi pak tek gjendja në PDK? Ka pasur pakënaqësi pas zgjedhjeve ku disa zyrtarë kanë kërkuar edhe largimin e Enver Hoxhajt. Mendoni se duhet të vijë një kryetar i ri në krye të partisë apo e mbështetni Hoxhajn?

    Z. Hoxhaj ka ardhur në krye të partisë kur PDK në kohën kur si për ne si deputet, si për strukturën tonë ka qenë situate e rëndë emocionale, me shkuarjen në Hagë të kryetarit të PDK-së z. Veseli dhe ish-kryetarit të PDK-së z. Thaçi.

    Z. Hoxhaj ka bërë dhe po vazhdon të bëjë një punë shumë të mirë në Partinë Demokratike të Kosovës, ka besimin e Kryesisë dhe organeve të tjera.

    Unë kam një respekt të veçantë për z. Hoxhaj, e kam pasur profesor, ka qenë ministër i Jashtëm, e ka një karrierë politike që e admiroj dhe vlerësoj shumë.

    Emri i Vlora Çitakut është përmendur jo rrallë herë si i mundshëm për kryetare të PDK-së. Cili është mendimi juaj për këtë?

    Vlorën e respektoj shumë, ka bërë një punë të mirë si ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për drejtimin e partisë janë organet e subjektit tonë që vendosin.

    Një temë tjetër që ka ngjall jo pak reagime është largimi i Adelina Granicës nga PDK në VV. Si e keni parë këtë?

    Unë për herë të parë Adelina Graincën e kam parë në Grupin Parlamentar dhe aty ka qenë takimi i parë dhe i fundit me të, nuk është se kam pasur ndonjë komunikim apo afërsi me të, por mendoj që ajo është mbi moshë 18-vjeçare dhe ka të drejtë të marrë vendime për veten.

    Çka nuk e vlerësoj është faktin që me votat e një elektorati të kalon në një parti tjetër, sepse ka garuar me “Rimëkëmbje” me PDK dhe ka kaluar në “Krejt dhe Drejt” në VV, kështu që nuk mund te arsyetoj një veprim i tillë, sepse kjo e thyen besimin e atyre që të kanë votuar dhe të kanë zgjedhë si përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës.

    Për fund, cili do të jetë fokusi juaj si deputete këtë mandate? Ç’tema do të ngritni?

    Unë jam pjesë e dy komisioneve kuvendare ku bëhet punë jashtëzakonisht shumë, në komisionin kuvendar për Politikë të Jashtme dhe në komisionin kuvendar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

    Do të ngriti tema nga fushat e politikës së jashtme të vendit tonë, si dialogu me Serbinë, si dhe dhe do të fokusohem të bëjë më të mirën në fushën e të drejtave të njeriut, sepse gjatë pandemisë jo rrallë herë janë shkelur të drejtat e njeriut.

    Poashtu çështje shumë e rëndësishme që do të fokusohem është ajo e te pagjeturve, që është një dhimbje e përbashkët e jona dhe për të cilën nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!