×
  • Lajme
  • Lajme

    INTERVISTË | Bedri Elezi: Rreth 10 shqiptarë së fundi iu bashkuan grupeve terroriste në Siri, 50 të tjerë po mbahen në burgjet kurde

    Reporteri
    05 Prill 2021 | 17:20

    Autor: Blendi Gashi


    Liria e lëvizjes është kufizuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej më shumë se një viti, jo vetëm për shqiptarët, por thuajse në gjithë globin. Megjithatë kjo nuk ka penguar disa shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut të marrin rrugën drejt Sirisë për t’iu bashkuar grupeve terroriste.

    Kështu pohon në një intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, njohësi dhe hulumtuesi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi.

    Sipas tij, një grup prej 10 shqiptarësh, në muajt e fundit, besohet se i janë bashkangjitur një fraksioni të Al Kaida-s, i cili quhet Xhemati Alban si dhe udhëhiqet po nga shqiptarët të cilët aktualisht janë në zonën e Idlib në Siri.

    Këtë e bën të ditur Elezi, që drejton Sigurinë në Institutin për Studime Ndërkombëtare. Tregon se nga cilat zona janë shqiptarët që ju bashkuan ISIS-it, sa kosovarë janë aktualisht në kampe, sa të burgosur, dhe sa janë integruar kosovarët që u kthyen kohë më pare nga Siri.

    Në fund të intervistës, Elezi ka komentuar edhe emërimin e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në pozitën e Koordinatorit Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit në Kosovë.

    Lexojeni të plotë intervistën me ekspertin e sigurisë, Bedri Elezin dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

    Z. Elezi, a ka shkuarje te reja të shqiptarëve nga Kosova në ISIS? Nëse po, sa persona dyshohet se kanë shkuar, kur janë nisur dhe nga cilat qytete janë?

    Kemi dyshime se kohëve të fundit ka pasur shkuarje të reja drejtë Sirisë, madje rasti i Ardian Palit nga Dibra e Shqipërisë është publikuar edhe nga mediat shqiptare. Sipas informacioneve që ne kemi, dyshohet se numri i personave të cilët janë bashkangjitur grupit me të cilët ka udhëtuar Adrian Pali arrin numrin në dhjetë persona dhe janë nga Kosova Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

    Ky grup mendohet se është njësia e cila hapi korridorin e ri drejt Sirisë në prill dhe maj të vitit 2020, por për shkak të situatës pandemike nuk kishte shkuarje të reja. Ky grup besohet se i është bashkangjitur një fraksioni të Al Kaida-s, i cili quhet Xhemati Alban si dhe udhëheqet nga shqipëtarët të cilët aktualisht janë në zonën e Idlib në Siri.

    Sa i përket vendeve apo komunave nga të cilat janë këta qytetarë, dyshohet se kryesisht mund të jenë nga zona e Karadakut, Drenicës dhe Shalës. Ne dyshojmë se për shkak të situatës me pandemi shkuarjet janë të vogla, por dyshohet se ka organizime të personave apo grupeve të cilët në rrethana të reja mund të udhëtojnë drejt Sirisë, ajo çfarë e bënë shumë shqetësues këtë shkuarje, është fakti i organizimit në diskrecion të thellë.

    Kemi informacion që një person nga Shqipëria i shpallur i humbur prej katër muajsh, i është bashkuar ISIS?

    Është e vërtetë se i riu Adrian Pali nga Dibra e Shqipërisë ishte shpallur i zhdukur nga familja e tij dhe ishte kërkuar për rreth 4 muaj nga autoritetet shqiptare si dhe atyre të Maqedonisë Veriore, por pas 4 muajsh ishte njoftuar familja e tij se ai është në Siri. Këtë informacion e kishte siguruar edhe inteligjenca shqiptare si dhe informacionin se ai ishte takuar në Maqedoninë e Veriut edhe me disa shtetas të Maqedonisë së Veriut si dhe të Republikës së Kosovës.

    Edhe sa persona nga Kosova janë në Siri? Si është gjendja e tyre?

    Aktualisht nga Kosova në Siri besohet se janë edhe mbi 80 qytetarë, kryesisht janë gra dhe fëmijë. Sa i përket gjendjes së tyre shëndetësore si dhe nevojave të tyre elementare, fatkeqësisht situata është shumë e rënduar, e sidomos në burgjet e Al Hasaka dhe Nusaibin, ku së fundi ka pasur edhe 4 shqiptarë të vdekur si rezultat i kushtëve shumë të rënda në burgje.

    Sa shqiptarë të Kosovës janë të burgosur në burgjet e Sirisë? Po, nga Shqipëria?

    Sipas informacioneve që aktualisht kemi aktualisht, dyshohet se rreth 50 shqiptarë janë të burgosur në burgjet Kurde, rreth 35 janë nga Kosova dhe rreth 15 janë nga janë nga Shqipëria. Poashtu ka edhe qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria të cilët janë në zonat e luftës e që aktualisht janë pjesëtarë të fraksionit Xhemati Alban, Al Nusra dhe ISIS, të cilët janë luftëtar dhe gjithashtu disa nga ata nga kanë familjet e tyre me vete.

    Po nga Shqiperia a keni informacion sa shqiptarë aktualisht gjenden në Siri?

    Shqipëria aktualisht ka rreth 50 qytetarë të saj në Siri, kryesisht gra dhe fëmijë të cilët ndodhën kampet e Al Hoël dhe Roj si dhe burgjet e Al Hasaka. Sa i përket riatdhesimit të qytetarëve shqiptarë, aktualisht Shqipëria qëndron shumë dobët sepse deri tani ka riatdhesuar vetëm 5 qytetarë të saj, por asnjë të burgosur.

    A do të ketë kthime të reja të kosovarëve që janë në ISIS? Nëse po, kur pritet të ndodhë kjo?

    Ne kemi informacione se Qeveria e Shqipërisë, është duke punuar në kthimin e grave dhe fëmijëve të cilët aktualisht janë në kapin Al Hoël. Një ekip i qeverisë shqiptare kohëve të fundit kanë bërë disa vizita në shtetet kufitare me Sirinë, me të cilët po bisedohet për mbështetjen e atyre shtetëve për përdorimin e territoreve apo airoporteve të tyre, dhe mendoj se mund të kemi së shpejti një riatdhesimin të grave dhe fëmijëve nga kampi Al Hoël dhe Roj. Ndërsa sa i përket autoriteteve të Republikës së Kosovës, ne nuk kemi asnjë informacion për ndonjë punë e cila bëhet për riatdhesimin e fëmijëve dhe grave të Kosovës, të cilët aktualisht janë në kampet siriane.

    Në muajin mars 2021 në zonën e Al Haska në Siri, zonë e kontrolluar nga forcat demokratike siriane, është vendosur një kontigjent i forcave të ushtrisë amerikane. Në zonën e Al Hasaka ku janë vendosur forcat amerikane janë kampet e përqendrimit ku aktualisht janë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky fakt na jep shpresë se mund të kemi kthimin e fillimisht të fëmijëve dhe grave, ngase edhe herën e parë pikërisht forcat e ushtrisë Amerikane kishin riatdhesuar 110 gra dhe fëmijë si dhe 4 pjestarë të ISIS. Nëse autoritetet e Kosovës do të kërkojnë ndihmën e ushtrisë amerikane, ne besojmë fort se riatdhesimi i tyre do të ndodhë shumë shpejt.

    Kurdët kanë arrestuar së fundmi më shumë se 50 anëtarë të ISIS. Sa paraqet kjo rrezik për shqiptarët që gjenden në kampe?

    Forcat demokratike Kurde të mbështetura nga intelegjeca e ushtrisë amerikane në fund të muajt mars, kanë arritur të arrestojnë një grup prej 50 luftëtarëve të ISIS-it, të cilët ishin shumë afër zonës së kontrolluar nga forcat demokratike kurde. Ky fakt e bënë shumë më serioze situatën e sigurisë në kampet ku ndodhen aktualisht qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, sepse këto kampe mund të sulmohen dhe të merrën nënë kontroll nga ISIS.

    Si është gjendja e kosovarëve që janë kthyer kohë më parë në Kosovë? Sa janë integruar ata, a shkojnë në shkollë fëmijët apo jo?

    Sa i përket integrimit të personave të cilët janë kthyer në Kosovë, mendoj se janë duke u trajtuar aktualisht nga institucionet e Republikës së Kosovës, por sa i përket deradikalizimit të tyre, mendoj se kemi shumë probleme si rezultat mungesës së kapacitetëve profesionale të trajtimit të ketij fenomeni i cili është i panjohur deri më tani.

    Informacionet e Kosovës kanë bërë shumë gabime edhe në procesin e ndjekjes dhe aktgjykimeve, ngase mendoj se ka pasur drejtësi selektive duke iu shqiptuar më shumë dënime atyre që janë deradikalizuar dhe kanë pranuar veprën, se sa atyre që nuk janë penduar dhe poashtu deradikalizuar.

    Fenomeni i drejtësisë sekletive në Kosovë mendoj se ka bërë shumë dëme sa i përket deradikalizinit apo radikalizimit në Kosovë.

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është emëruar në pozitën e Koordinatorit Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit. Si e vlerësoni emërimin e tij në këtë pozitë?

    Emërimi i Ministrit së Punëve të Brendshme, në pozitën e Koordinatorit Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit. z.Xhelal Sveçla, mendoj se është veprim i pritur ngase përkon edhe me detyrat të cilat edhe duhet ti ketë një ministër i punëve të brendshme. Poashtu kryeministri ka pasur parasysh faktin se çështja e luftimit të terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm është një detyrë e veqant kur kihet parasysh fakti se Kosova është pjesë e luftës globale të ekstremizmit të dhunshëm e cila udhëheqet nga SHBA.

    Cilat janë detyrat kryesore të Koordinatorit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit?

    Detyrat e Koordinatorit Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit janë, këshillimi i Kryeministrit lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit, dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, andaj kjo detyrë duhet kryer në mënyrën më të mirë, ngase në qeveritë e kaluara, çështjet e këtij fenomeni janë neglizhuar apo janë bërë aktivitete vetëm sa për të arsyetuar pagat, meditjët si dhe shpenzimet e tyre.

    Duke pasur parasysh atë që ka ndodhur në të kaluarën ministri apo në këtë rast Koordinatori duhet fillimisht të bëjnë një analizë të thukt të situatës aktuale, si dhe merren masa serioze të trajtimit real të këtij fenomeni, sepse pasojat do të jenë serioze dhe afatgjate jo vetëm për Kosovën, por për rajonin e më gjërë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!