×
  • Lajme
  • Lajme

    INTERVISTË | Duda Balje: Nuk kam pse t’i frikësohem ligjit për konfiskimin e pasurisë, çdo pasuri e fituar në mënyrë të paligjshme duhet hetuar

    Reporteri
    21 Prill 2021 | 13:24

    Autor: Blendi Gashi


    Është një nga deputetet e komuniteteve që e dha votën për qeverinë Kurti, pas një tjetër mandati që fitoi. Mohon që t’i jetë premtuar diçka për votën që dha për kryeministrin e presidenten, por thotë se prej tyre pret vetëm t’i realizojnë premtimet që i bënë gjatë fushatës zgjedhore.


    Fjala është për deputeten e komunitetit boshnjak, Duda Balje, e cila në një intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ flet edhe për përplasjet që kishte me Ardiana Hoxhiq, për temat që do t’i ngrit në Kuvend si dhe ka dy fjalë për hoxhën Shefqet Krasniqi.

    Balje ka treguar edhe nëse ka pse t’i frikësohet krijimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë.

    Lexojeni të plotë intervistën me deputeten Duda Balje, dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

    REPORTERI.net: Pasi jemi në muajin e Ramazanit, na tregoni nëse po e agjëroni?

    Duda Balje: Unë jam besimtare e devotshme. Ramazanin e agjëroi me plotë kënaqësi dhe lumturi.

    Keni fituar dhe një mandat të ri të deputetes, por kësaj here më vështirë se në të kaluarën kjo për shkak të garimit edhe të Ardiana Hoxhiq. Na tregoni si u ndiet kur u konfirmua e drejta e juaj?

    Balje: Siç e ka kuptuar i tërë populli i Kosovës edhe pse kishte plan të Listës Serbe e lidhur ngushtë me Adrijana Hoxhiqin ne arritëm ta zhveshim atë plan para opinionit. Në fund fitoi drejtësia dhe votuesit e partisë time të Unionit Socialdemokrat.

    Pasi fituan mandatin e deputetes dhe Hoxhiq mbeti jashtë, a keni pasur ndonjë komunikim me këtë të fundit? Mos keni marrë ndonjë kërcënim apo diç të tillë?

    Unë komunikoi me të gjithë, por jam e pakompromis në të drejtat e mia dhe komunitetit boshnjak të cilin e përfaqësoj. Kërcënimet janë të kota, nuk patën sukses sepse ato kërcënime anonime kanë arritur nga njerëz frikacak dhe si të tillë janë të parëndësishëm edhe pse organet e sigurisë janë informuar.

    Pasi jeni sërish deputete, çfarë ju premtoni komunitetit tuaj? Cili do të jetë fokusi juaj, pra çfarë tema do të ngritni?

    Komunitetit boshnjak edhe gjatë fushatës ju kemi premtuar projekte për mirëqenie, vazhdimësi të punësimit, rregullim të jetesës, shkollim adekuat, zgjidhje të problemeve sociale etj. Ky do të jetë fokusi im si deputete.

    Ju e keni përkrahur qeverinë Kurti si dhe zgjedhjen e Vjosa Osmanit për presidente. A keni marrë ndonjë premtim prej tyre para se t’ia konfirmonit se do t’i mbështetni? Çfarë prisni prej tyre, veçanërisht nga Kurti?

    Asnjë kusht nuk kam patur për votën time për presidenten Vjosa Osmani e as për qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Ne si komunitet boshnjak jemi të kënaqur me përfaqësimin tonë në Qeverinë e Kosovës. Nga presidentja dhe kryeministri pres angazhim maksimal dhe zbatimin e premtimeve të dhëna gjatë fushatës.

    Si e vlerësoni punën e qeverisë Kurti deri më tani? Konkretisht si e shihni miratimin e draftit për konfiskimin e pasurisë? Keni frikë nga kjo ju personalisht si deputete?

    Duhet të kalojnë 100 ditë pune të qeverisë e pastaj e jap vlerësimin. Koncept dokumenti që duhet të përkthehet në ligj për konfiskimin e pasurisë së paligjshme duhet të jetë i qartë dhe detajizues dhe nevojitet të bëhet me konsulta me faktorin ndërkombëtare. Çdo pasuri e fituar në mënyrë të paligjshme duhet hetuar dhe vërtetuar nga organet përkatëse të sigurisë dhe drejtësisë. Unë nuk kam kurrfarë arsye të frikësohem, përkundrazi i inkurajoj për angazhimin e fuqishëm në këtë ligj.

    Sa e ka prekur komunitetin tuaj pandemia? A keni të dhëna nëse ka të vdekur nga COVID nga komuniteti juaj? Sa persona janë aktualisht të infektuar me COVID, si është gjendja e tyre?

    Pandemia ka prekur të gjithë neve, nuk do ta ndaja në komunitete, sepse virusi Covid-19 nuk ka etni e as gjini. Duhet që ministria përkatëse, por edhe e tërë qeveria të angazhohet maksimalisht për vaksinat, por edhe duhet të jemi të disiplinuar me rekomandimet e IKSHP-së.

    Për fund, si e vlerësoni deklaratën e hoxhës Shefqet Krasniqi se gratë janë për kuzhinë?

    Teologët, e në këtë rast hoxha Shefqet Krasniqi në prezantimet publike duhet të kenë më shumë kujdes në pohimet e tyre. Gratë siç janë: Majlinda Kelmendi, Rita Ora, Dua Lipa, Vafsije Krasniqi, por edhe të gjitha gratë janë krenaria, dinjiteti dhe vlera e shtetit të Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!