×
  • Lajme
  • Lajme

    INTERVISTË | Nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja: Pakënaqësitë janë normale në parti, në zgjedhje komunale do t’i fitojmë edhe Prizrenin e Mitrovicën

    Reporteri
    08 Gusht 2021 | 21:05

    Autor: Blendi Gashi


    Partia Demokratike e Kosovës ditë më parë zgjodhi Kryesinë e re të partisë, ku një nga nënkryetarët u zgjodh edhe Ramë Buja. Zgjedhja e Kryesisë së re ngjalli edhe pakënaqësi, ku veçohet këtu ajo e ish-deputetes Besa Ismaili, e cila tha se “është e pakuptimtë që figurat zbehëse të votës pro-PDK të sistemohen sërish”.


    Gazeta Online “Reporteri.net”, ka zhvilluar një intervistë me nënkryetarin e zgjedhur të PDK-së, Ramë Buja, i cili ka folur për pakënaqësitë e shfaqura nga figura të PDK-së për Kryesinë e re, dorëheqjen e kryetarit të PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, për 100 ditët e Qeverisë Kurti për pritjet që kanë në zgjedhjet lokale, e çështje tjera.

    Më poshtë mund ta lexoni të plotë intervistën me nënkryetarin e PDK-së, Ramë Buja dhënë për Reporteri.net.

    REPORTERI.net: Sot dha dorëheqje Sejdi Hoxha nga pozita e kryetarit të Degës në Drenas. Si e keni parë këtë dorëheqje?

    Nuk kam informacion zyrtar dhe nuk mund të di si është puna, letër zyrtare drejtuar Kryesisë nuk ka, andaj jam i rezervuar për të dhënë diç më tepër.

    Ditë më parë PDK zgjodhi Kryesinë e re, ku ju u zgjodhët në pozitën e nënkryetarit. Për Kryesinë e re kishte pakënaqësi ish-deputetja e partisë suaj, Besa Ismaili. Si e keni parë këtë?

    Besoj që kjo Kryesi është komplete që na jep shpresë që do të jemi më mirë se që ishim në prerje pozitive të gjërave. Nëse kemi diçka pakënaqësi të njerëzve është normale, kryetari e ka pas mundësinë të përzgjedh e zgjedh, dhe siç ka thënë po të kishte mundësi do të kishte futur në Kryesi më shumë njerëz të tjerë.

    Me ndryshimet e bëra në Kryesi, a pritni që të arrini në pikën ku keni qenë si parti e parë?

    Qëllimi i krejt ndryshimeve është që të arrijmë në stadin ku ishim dhe kjo do të shihet me kohë, me punë dhe angazhime nuk do të mungojë transformimi, do të ndodh seriozisht.

    Të kthehemi te puna e Qeverisë Kurti. Si e keni pare 100-ditëshin, ka bërë ndonjë punë të mirë kryeministri apo jo?

    Deputetët e PDK-së në Kuvend kanë pasqyruar qëndrimet e partisë sa i përket 100-ditëve të qeverisë aktuale. Ato që kanë thënë deputetët tanë në Kuvend, janë qëndrim i partisë.

    Ju jeni dhe profesor universitar, andaj me çfarë note e vlerësoni punën e Qeverisë Kurti?

    Është e vërtetë që unë i vlerësoj studentët, por për kryeministrin dhe 100 ditshin e tij në qeveri vlerësimin e kanë bërë deputetët e partisë sonë.

    Një temë aktuale ditëve të fundit është edhe rritja e rasteve me COVID. Ju keni qenë ministër i Arsimit për një kohë, a duhet të fillojë viti i ri shkollor pas rritjes së rasteve me COVID?

    Duhet të ketë kujdes tek vaksinimi i stafit pedagogjik, stafi duhet të jenë të vaksinuar dhe më pas të vlerësohet si është gjendja me pandeminë.

    Zgjedhjet lokale po afrohen, cilat komuna synon t’i fitojë PDK-ja?

    Kemi shpresë që do t’i fitojmë komunat që i udhëheqim, kurse Mitrovica dhe Prizreni janë komuna që synojmë t’i fitojmë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!