×
  • Lajme
  • Lajme

    INTERVISTË | Pal Lekaj: Për 60 ditë qeverisje Kurti nuk ka bërë asgjë, AAK nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë

    Reporteri
    19 Maj 2021 | 14:09

    Autor: Blendi Gashi


    Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, adreson kritika në drejtim të kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij, duke thënë se për afër 60 ditë pune nuk ka arritur të bëjë asnjë punë.


    Lekaj në një intervistë dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”, ndërsa flet për dialogun Kosovë-Serbi dhe shkuarjen e Kurtit në Bruksel, e paralajmëron këtë të fundit se do të jenë 24 orë nën vëzhgim, dhe nuk do të lejojnë siç thotë asnjë lloj autonomie e copëtim të vendit.

    Lekaj lë të kuptohet se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë edhe nëse ju bën ftesë kryeministri Kurti.

    “Si Aleancë ne jemi të respektueshëm ndaj vendimeve të shtetit, Kushtetua e vendit ka një vlerësim që përgjegjësia i takon kryeministrit për dialog, dhe po them se Aleanca sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë pjesë e dialogut”, thotë Lekaj.

    Ai në këtë intervistë flet edhe për programin e Qeverisë Kurti, largimet e fundit të disa zyrtarëve të AAK-së, vendimin e Gjykatës për t’i shpallë të pafajshëm atë dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për futjen e gazit në Kuvend, dhe tema tjera.

    Lexojeni të plotë intervistën e deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

    REPORTERI.net: Kuvendi edhe sot po diskuton për programin qeverisë Kurti? Është i realizueshëm dhe i përmbush apo jo pritjet e qytetarëve?

    Pal Lekaj: Sa i përket programit të qeverisë Kurti2, mendoj se as për së afërmi nuk i përmbushë kërkesat e qytetarëve, është program i shkruar mirë, por pa mbështetje financiare, pa analizë, është më tepër teorik sesa praktik që mund t’iu shërbejë qytetarëve.

    Program të tillë të dobët nuk kemi pasur më parë në Qeverinë e Kosovës, më tepër kanë shkruar histori dhe poezi se sa diçka që mund ta bëjnë realitet për qytetarët e Kosovës.
    Ai (Kurti) ka premtuar që paga minimale do të jetë 350 euro, ndërsa e ka zbritur në 250 euro dhe në fjalimin e tij para Kuvendit e ka zbritur edhe në 200 euro, kjo ka dalë në bazë të llogarive që i kemi bërë për 40 orë.

    Kjo është më tepër mashtrim për qytetarët se program i prekshëm që do të ndikojë në zhvillimin e vendit.

    Nëse mendojmë në mënyrë analitike, për vitin 2022 nuk e ka cekur shumën buxhetore se si duhet të shpërndahet, operacionalizohet vija buxhetore, dhe kjo është absurditet i kohës dhe dhashtë Zoti kësi programi të mos ketë në Qeverinë e Kosovës.

    Kryeministri Kurti mbrëmë ishte në Bruksel në darkën e organizuar nga shefi i diplomacisë së BE-së për dialogun, Josef Borell. Cili është vlerësimi juaj për takimin e mbrëmshëm?

    Pal Lekaj: Sa i përket Kurtit u mësuam me frazat e tij, diçka tjetër thotë para qytetarëve dhe diçka tjetër në fushata. Kur ka qenë në opozitë nuk e ka përkrahur dialogun, dhe siç dihet kanë rënë dy qytetarë për të kundërshtuar dialogun.

    Edhe për dialogun ka bërë mashtrim, pasi ka thënë se është diku në pikën e shtatë të prioriteteve, por po del që është e para.

    Dhashtë Zoti që Kurti mos të bëjë hapa të gabueshëm dhe mos të ndikojë pozita e të qenit kryeministër dhe arroganca e numrave që mund të vendos vet për Kosovën.

    Si AAK do të jemi kujdestar për 24 orë për dialogun dhe çështjet tjera për Kosovën dhe nuk do të lejojmë të hy në ujërat e turbullta që mund të kenë ndikim negative për statusin e Kosovës.

    A do ta thirrni kryeministrin Kurti në interpelancë të raportoj për takimin e fundit që kishte në Bruksel?

    Pal Lekaj: Gjithsesi po, e kemi shqyrtuar këtë gjë në organet e partisë edhe shpejt do të dalim me një informatë dhe do të ftohet Kurti në interpelancë.

    Ç’përfundim prisni nga bisedimet Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti?

    Pal Lekaj: Ne kemi pavarësinë e shtetit tonë, AAK nuk pranon asnjë kompromis tjetër përveç që Kosova të njihet në kufijtë ekzistues dhe të kemi njohje reciproke të pranueshme ligjërisht dhe ndërkombëtarisht, por në asnjë mënyrë nuk do t’i hyjmë copëtimit të Kosovës, autonomi apo distrikt që po flitet në kuluare me këto në “Non Paper” dokument.

    Ne duhet të jemi të vëmendshëm, sepse nëse ndodh Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive, Kosovën e ndanë dhe e bën disfunksionale.

    Nuk guxojmë të shkojmë në dialog dhe të diskutojmë për këto çështje, duhet me shku të barabartë në dialog si dy shtete, duhet paraprirë bisedat për personat e pagjetur si dhe dëmin që Serbia i ka bërë Kosovës.

    A do të bëhet AAK pjesë e dialogut me Serbinë, nëse Kurti ju kërkon një gjë të tillë?

    Pal Lekaj: Në këtë pyetje nuk mund të japë përgjigje definitive, sepse nuk kemi parë platformë të dialogut dhe korniza të qarta se si do t’i qasen, dhe pa pasur një kornizë të tillë nuk mund të themi po ose jo.

    Si Aleancë ne jemi të respektueshëm ndaj vendimeve të shtetit, Kushtetua e vendit ka një vlerësim që përgjegjësia i takon kryeministrit për dialog, dhe po them se Aleanca sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë pjesë e dialogut.

    Qeveria ka miratuar koncept dokumentin për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme. Ç’vlerësim keni për këtë?

    Pal Lekaj: Ne do ta përkrahim, por do të kërkojmë garanci mos të keqpërdoret politikisht dhe për njerëz të caktuar.

    Kushdo që nuk mund ta justifikon pasurinë duhet t’i konfiskohet, duhet të veprohet, por nuk guxojmë me këtë ligj të bëjmë organe paralele, duhet të konfiskohet përmes gjykatës, e jo përmes ndonjë agjencie që i përgjigjet Qeverisë së Kosovës.

    Cili është mesazhi juaj për kryeministrin Albin Kurti?

    Pal Lekaj: Mesazhi kryesor është se si Aleancë do të vlerësojmë çdo punë të mirë, por do të jemi shumë të zëshëm dhe aktiv kur ka dështime dhe nepotizëm, punë jo të mira për vendin, dhe presim që në ditët në vijim, pasi në 60 ditë e qeverisjes kryeministri Kurti nuk ka bërë asgjë, ndoshta fillon të mendoj diçka pozitivisht për Kosovën.

    Ju gjatë qeverisë Haradinaj keni udhëhequr Ministrinë e Infrastrukturës e cila tani drejtohet nga Liburn Aliu i VV-së. A ka bërë ky i fundit ndonjë punë të mirë deri tani?

    Pal Lekaj: Deri më tani nuk kam parë asnjë lëvizje në zhvillimin e infrastrukturës dhe krijimit të një ambienti të sigurt për qytetarët.

    Këta (VV) më tepër kanë ardhur për të shkarkuar dhe punësuar njerëz që janë aktivistë të tyre, dhe deri më tani më tepër janë marrë me këtë çështje se me zhvillim të infrastrukturës.

    Atë që e tha ministri Liburn Aliu ditë më parë në Kuvendin e Kosovës që ka projekte pa elaborate shpronësimi, nuk është e vërtetë, sepse çdo projekt e ka elaboratin e shpronësimit, përndryshe qytetarët nuk e lejojnë të ndërtohet infrastruktura pa elaborate shpronësimi, pasi prona është e shenjtë.

    Ka qenë rasti në Kijevë, derisa kam komunikuar me qytetarët dhe ju kam premtuar nuk kanë lejuar të bëhet ndërtimi i asaj rruge dhe në këtë mënyrë është absurde që ministri mos të ketë informatë dhe të mos ketë elaborate.

    Në kohen time i kam lënë të gjitha dhe pas meje kanë qenë edhe dy ministra të infrastrukturës dhe nuk e di si kanë vepruar.

    Javët e fundit janë larguar disa figura nga AAK-ja, ku së fundmi edhe nënkryetarja e partisë. Pse po ndodh kjo? Si është gjendja aktuale në partinë tuaj?

    Pal Lekaj: Ata që nuk kanë kondicion në staza të gjata politike e lënë garën në gjysme, kështu mund t’i konsiderojë të gjithë ata që nuk kanë mundur të vazhdojnë dhe nuk kanë qenë aktiv, vullnetarisht janë ardh në parti dhe vullnetarisht po shkojnë.

    I falënderoj për bashkëpunim, por ju them kur të bëhesh pjesë e politikës duhet të kesh parasysh se partia duhet të përkrahet edhe kur është në opozitë, e jo vetëm kur është në pushtet. Më tepër ka dominuar interesi individual i tyre se diçka tjetër.

    Si e vlerësoni vendimin e Gjykatës që t’iu shpallë të pafajshëm ju, ministren Albulena Haxhiu dhe të tjerët për rastin e futjes së gazit në Kuvend vite më parë?. A ka ndikuar ministrja e Drejtësisë që të merret një vendim i tillë?

    Pal Lekaj: Sa i përket vendimit të gjykatës nuk ka pasur fare ndikim ministrja e Drejtësisë, por Gjykata me të drejtë ka marrë vendim për lirimin tonë, pasi Prokuroria ka dështuar në ofrimin e provave.
    Jo pse jam në këtë rast, por ministrja e Drejtësisë ka qenë korrekte dhe ju ka përgjigjur ftesave të gjykatës.

    Sa është e përgatitur AAK për zgjedhjet lokale dhe a do të kandidoni kryetarët aktual të komunave të cilat i qeverisni?

    Pal Lekaj: Sa i përket kryetarëve ekzistues do të kandidojnë dhe do të jenë fitues real, sepse kanë punuar mjaft për këto 4 vite, kanë zhvilluar mjaft projekte që kanë ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve.

    AAK është e përgatitur, kemi filluar qe dy muaj të përgatitemi për zgjedhjet lokale dhe do të jetë befasi e mirë për zgjedhjet lokale. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!