Vështirësitë që Serbia i ka me Kosovën tani po provon t’u jep kahje nga Kroacia me synimin për t’ia ndryshuar karakterin çlirimtar operacionit ushtarak “Stuhia”, tha zv/kryeministri kroat, Tomo Medved, transmeton Gazeta Online “Reporteri.net”.
Por, përpjekja e tillë për t’ia ndryshuar karakterin luftës kroate për çlirim, “nuk do të ketë sukes”, u shpreh Medvedev, siç e citoi qeveria kroate në Twitter.
Serbia, sipas zv/kryeministrit kroat, nuk ka pasur fuqinë të ballafohet me të kaluarën e saj. E kjo e kaluar është “agresioni kundër Kroacisë, pastaj Bosnje-Hercegovinës, dhe në fund Kosovës”.
“Serbia nuk ka dëshmi konkrete, por përmes aktakuzave po provon të ridrejtojë vështirësitë e saj, veçanërisht ato në lidhje me Kosovën, ndaj Kroacisë, në mënyrë që t’ia ndërroj karakterin e Luftës së Atdhehut, por kjo nuk do të ketë sukes”.
“Faktet historike janë të qarta – Kroacia luftoi luftë të drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare”, shkroi Medved.
Duke iu referuar aktakuzës së Serbisë ndaj pilotëve kroatë për çka pretendohet se kanë bombarduar mbi kolona refugjatësh serbë, ai tha se “ajo nuk do të kalojë”.
“Veteranët tonë do t’i mbrojmë, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka bërë të qartë me gjykimin dhe vlerësimin se operacioni [Stuhia] ka qenë veprimi legjitim dhe që çliroi territorin e okupuar kroat”, tha Medvedev.
Srbija nije smogla snage suočiti se sa svojom prošlošću, s ulogom pokretača agresije na Hrvatsku, potom na BiH, a nakon toga i na Kosovo. Povijesne činjenice su jasne ― Hrvatska je vodila pravedan, obrambeni i oslobodilački Domovinski rat.
— Vlada Republike Hrvatske (@VladaRH) August 22, 2022
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si edhe e tërë kasta politike aktuale në Beograd operacionin ushtarak për çlirimin e krahinave kroate të zaptuara nga serbët, e quan “operacioni më i madh i spastrimit etnik që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Madje, këtë operacion ushtarak, Vuçiç pretendon se edhe Kosova planifikon ta bëjë ndaj serbëve në Veri.
Vuçiç është tejet vokal sa i përket propagandimit të një skenari të tillë në Kosovë./Reporteri.net/.