Jahjaga: Në Kongresin Amerikan kërkuam Gjykatë Speciale për krimet e Millosheviqit

Atifete Jahjaga dje para Kongresit Amerikan mbajti një fjalim për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.


Ish-presidentja e Kosovës, zonja Jahjaga ka kërkuar në Kongres që të krijohet një Gjykatë Speciale për krimet që i ka bërë Millosheviqi.

Por, përveç kësaj Gjykata, Atifete Jahjaga ka kërkuar gjithashtu që të kushtëzohet integrimi i Serbisë në Bashkimin Evropian.

Postimi i plotë i Jahjagës në Facebook:

Sot Komiteti për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan dëgjoi historinë e luftës së Kosovës, dhe kërkesën tonë të vazhdueshme për drejtësi. Heriona Vasfije Krasniqi – Goodman ishte shumë e guximshme, si gjithmonë, dhe tronditi të gjithë pjesëmarrësit me përjetimin e saj.

Ilir Bytyqi tregoi historinë e dhimbshme të humbjes së vëllezërve të tij, dhe përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar drejtësi për vrasjen e tyre nga forcat serbe. Dr. Paul Williams tregoi për dështimet e shumta të drejtësisë, dhe domosdoshmërinë për të sigurar drejtësi për krimet kundër njerëzimit, të planifikuara dhe ekzekutuara nga regjimi i Millosheviqit. Unë theksova se si ende nuk ka drejtësi për afër 1 milion shqiptarë që u larguan nga Kosova me dhunë me qëllim të spastrimit etnik, mbi 13,000 persona të vrarë (duke përfshi 1,230 fëmijë nën 18 vjeç), mbi 1,600 të zhdukur, dhe afërsisht 20,000 gra dhe burra të dhunuar.

Bashkë, që të gjithë, kërkuam drejtësi. Konkretisht, kërkuam që të krijohet një Gjykatë Speciale për të adresuar krimet e regjimit të Millosheviqit në popullatën civile të Kosovës. Po ashtu kërkuam nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ketë parasysh kërkesat për drejtësi për krime të luftës në Kosovë në politikat e jashtme me Serbinë, dhe të avokojë për kushtëzimin e rrugës euroatlantike të Serbisë deri sa të ketë drejtësi. Drejtësia nuk është e negociushme. Është e drejtë legjitime e të gjithë atyre që kemi humbur në luftë, e atyre kanë përjetuar tortura dhe dhunë të jashtëzakonshme, duke përfshi dhunën seksuale. Është e drejtë legjitime e familjarëve të personave të zhdukur, dhe e të gjithë atyre që jetojnë me kujtime të personave që kemi humbur në luftë.

Seanca e sotme është rezultat i punës së jashtëzakonshme së shumë njerëzve. Një faleminderim i veçantë për mikun e Kosovës, Kongresistin Elliot Engel, për organizimin e kësaj seance, dhe të gjithë kongresistëve të Komitetit për Punë të Jashtme që dëgjuan me vëmendje dëshmitë tona dhe pyetën disa herë se si mund të ndihmojnë në kërkesën tonë për drejtësi. Faleminderim të veçantë edhe për Harry Bajraktarin, për idenë dhe punën e jashtëzakonshme për këtë seancë. Ky është një shembull shumë i mirë se çka mund të arrihet kur ka bashkëpunim të vazhdueshëm në mes të diasporës dhe insititucioneve tona. Faleminderit shumë edhe Ambasadores Vlora Çitaku, dhe stafit të Ambasadës së Kosovës në ëashington D.C. për punën e palodhshme për këtë seancë. Ju jam shumë mirënjohëse edhe Bekim Blakajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, Mirlinda Sadës nga Medica Gjakova, dhe Anna Di Lellios për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në hulumtim. Faleminderit edhe ekipës time për punën dhe dedikimin në përgatitje për këtë seancë.

Faleminderit të gjithëve që na keni ndihmuar dhe keni ofruar përkrahje të jashtëzakonshme. Vetëm bashkë mund të arrijmë qëllimin tonë për drejtësi për krimet e luftës në Kosovë.