BIRN Kosova ka reaguar pas denoncimit të drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halili se po kurdiset kthimi i emisioneve të “Jeta në Kosovë” në televizionin publik.
Ata i kanë reaguar Halilit i cili përmes publikimit të disa e-maileve paralajmëroi për shkelje të procedurave ligjore në pranimin e produksioneve të pavarura në RTK, duke përmendur këtu emisionet e BIRN dhe Jeta Xharrës, shkruan Reporteri.net.
BIRN e ka akuzuar Halilin për shpifje.
“Ne jemi krenarë që jemi organizata dhe mediumi i parë në Kosovë dhe ndër të vetmit që të gjitha të hyrat dhe shpenzimet i kemi publike dhe secili qytetar i Kosovës mund t’i kontrollojë ato.Në fushatën shpifëse dhe në ndihmë të Kastratit, të afërt me Devollët, është vendosur edhe drejtori i Radios së RTK-së, Arsim Halili. Ai, në një postim me shumë shpifje, gjoja ka alarmuar për një situatë abuzive me fondet publike.Z.Halili shpif kur e emëron BIRN-in si subjekt privat. Kjo e pavërtetë kuptohet lehtë — BIRN është organizatë joqeveritare, jofitimprurëse dhe nuk është subjekt privat.Në postimin e tij, z.Halili pretendon se marrëveshjet në mes të BIRN dhe RTK-së janë zhvilluar pa procedura të prokurimit dhe me marrëveshje të dyshimta antiligjore. Kjo është 100% e pavërtetë”, thuhet në reagim.
Sipas tyre të gjitha marrëveshjet në mes të BIRN dhe RTK-së kanë ndjekur procedurat, siç thonë ata “skajshmërisht ligjore”.
“Në asnjë raport të auditimit këto marrëveshje nuk janë cilësuar si të paligjshme, në të gjitha hetimet që i kanë zhvilluar autoritetet për RTK-në është konstatuar ligjshmëri e skajshme në këto marrëveshje, për më tepër edhe gjykata i ka konsideruar të ligjshme marrëveshjet në procedurën përmbarimore me RTK-në.”, thuhet tutje.
Nga BIRN e kanë quajtur Halilin “injorant ligjor” dhe kanë thënë se ai nuk i di, as nuk i kupton, as procedurat që institucioni ku ai punon dhe i zbaton për angazhimin e produksioneve të jashtme. Ata kanë paralajmëruar padi për shpifje ndaj drejtorit të Radio Kosovës.
“Duke demonizuar anëtarët e komisionit audiovizual të RTK-së, të cilët kanë vlerësuar që përmbajtja e dy emisioneve është në interes për publikun dhe RTK-në, z.Halili synon të pengojë zbatimin e ligjit, i cili është i qartë: 15% e produksionit të televizionit publik duhet të shkojë tek produksionet e pavarura.Për njohurinë e z.Halilit dhe publikut të gjerë, që nga ndalimi arbitrar e korruptiv i transmetimit të emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” ne kemi insistuar dhe insistojmë në të drejtën tonë ligjore për hapësirë në televizionin publik. Për këtë hapësirë kemi kredencialet të cilat provojnë profesionalizmin tonë dhe ekipin të cilin nuk e ka askush tjetër në Kosovë.Si zakonisht, kemi shfrytëzuar të drejtën që sipas ligjit të ri-aplikojmë për të kërkuar nga RTK që të zbatojë ligjin. Në një proces normal, kemi kërkuar nga komisioni për vlerësimin e veprave audiovizuale që në vitin 2025 të ri-vlerësojë nëse RTK-së i duhen programet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”. Komisioni ka vlerësuar që skema e RTK-së ka nevojë për programet dhe kjo është procedura ligjore që ndiqet në secilin rast të tillë.Por, korit të shpifjeve nuk u konvenon vlerësimi profesional për “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, i cili në vitin 2022 është zhdukur në mënyrë kriminale e në vitin 2025 po synohet të demonizohet vetëm e vetëm që të pengohet zbatimi i ligjit.Z.Halili, i cili nën petkun e drejtorit të Radios publike dhe me frekuencë nacionale i lejon vetes të shpifë kaq hapur, do të përballet me padi për shpifje.” është thënë në reagimin e tyre.
Në reagim thuhet se BIRN nuk është në asnjërën prej këtyre aktakuzave dhe se kanë qenë të pastër, transparent dhe llogaridhënës “dhe kontratat tona janë konstatuar që kanë qenë dhe janë 100% të ligjshme”.
“Kori shpifës injoron këto fakte dhe fsheh qëllimshëm aktakuzat që janë duke u gjykuar në gjykatat e Kosovës. Disa nga të akuzuarit janë analistë në studiot e tyre e disa vazhdojnë të shkruajnë statuse të përmbrëmshme në emër të ligjshmërisë, e paradite ulen në gjykatë në bankat e të akuzuarve. Për më tepër, kori nuk merret as me OJQ-të e tjera që patën kontrata të ngjashme si BIRN .Përgjigja është shumë e thjeshtë: të gjitha produksionet e pavarura, të gjithë të kontraktuarit e RTK-së dhe i gjithë stafi i RTK-së njëherësh në këto vitet e pasluftës, nuk kanë më shumë rezultate në gazetari sesa ekipi ynë. Ne mbajmë me krenari 88-të çmime të vlerësuara nga juri profesionale për punën tonë.”, vazhdon reagimi.
Të hënën, drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili ka reaguar në Facebook përmes një statusi të gjatë për shkelje të procedurave ligjore në pranimin e produksioneve të pavarura në RTK, duke përmendur këtu emisionet e BIRN dhe Jeta Xharrës.
Sipas tij, më 6 gusht 2025 ai ka marrë gabimisht email që përmbante udhëzime për favorizimin e këtij produksioni në procesin e aplikimit, pa u zhvilluar konkurs publik siç e kërkon Ligji për RTK-në.
Halili ka publikuar disa e-maile, ku specifikohen kushtet të cilat duhet t’i zbatojë BIRN-i, duke thënë se ka shkelje të mëdha ligjore, madje e ka quajtur edhe procedurë korruptive.
Ai ka theksuar se procesi nuk është diskutuar apo miratuar në asnjë mbledhje të menaxhmentit dhe se veprimi bie ndesh me parimin e konkurrencës së hapur për projekte që financohen nga fondet publike.
“Sipas nenit 12 të Ligjit për RTK (Ligji Nr. 04/L-046), produksionet e pavarura pranohen vetëm përmes konkursit publik. Në këtë rast nuk ka pasur konkurs, çka përbën shkelje të procedurave të ligjshme dhe të parimit të konkurrencës së hapur për projektet që financohen nga fondet publike ose përmes hapësirës publike me pagesë. Ky veprim është veçanërisht shqetësues në rrethanat kur RTK po përballet me sfida të mëdha financiare dhe punëtorët ende nuk i kanë marr pagat e muajit korrik. Përgatitja e një kërkese të personalizuar për një subjekt të veçantë, pa hapur garë publike, dëmton integritetin institucional dhe besimin e publikut”, ka shkruar drejtori i Radio Kosovës më tutje.
Nga të dhënat e publikuara, produksioni në fjalë ai thotë se ka përfituar mbi 2.2 milionë euro nga RTK në të kaluarën përmes marrëveshjeve të dyshimta dhe jashtë procedurave të rregullta të prokurimit publik.
Halili në reagimin e tij në Facebook, ka kërkuar nga Bordi i RTK-së, organet mbikëqyrëse, Agjencia Kundër Korrupsionit, hetuesia dhe Prokuroria që të hetojnë rastin.