×
  • Lajme
  • Lajme

    Jo monoetnizëm por multientizëm, Osmani i përgjigjet Pahorit për Asociacionin

    Reporteri
    07 Shtator 2022 | 16:48

    Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të implementohet, tha presidenti slloven, Borut Pahor, në konferencën e përbashkët për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanit, shkruan Reporteri.net.

    Zbatimin e kësaj marrëveshje, Pahor e quajti në funksion të “përforcim të mirëbesimit mes Beogradit dhe Prishtinës”, derisa shtoi se edhe kësaj here ia ka përçuar presidentes kosovare këtë kërkesë.

    Pahor tha se respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 ku ajo shpallet anti-kushtetuese, por se tha se duhet të gjenden zgjidhje tjera për implementimin e asaj marrëveshje.

    Përderisa propozime tjera nuk ka, Pahor tha se “vlen ajo që është arritur në të kaluarën”.

    Për të njëjtën çështje u deklarua edhe presidentja Osmani, përçka tha se “nga partnerët tanë dua të dëgjoj më shumë për marrëveshjet që Serbia nuk i ka zbatuar” dhe jo Kosova.

    “Lista është shumë e gjatë që s’po dua tani t’ua numëroj”, tha presidentja teksa veçoi zotimin e Serbisë për t’i zhbërë strukturat paralele në Veri, gjë që s’është përmbushur.

    “Lëre që s’i ka zhbërë, por vazhdon t’i mirëmbajë, financojë, e urdhërojë”, tha presidentja, derisa liderët e këtyre strukturave, tha ajo, janë edhe në listë të zezë të ShBA-së.

    Të gjitha marrëveshjet tjera, tha Osmani, Kosova i ka zbatuar, më përjashtim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dhe kjo, për shkak të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    “Për një arsye fondamentale”, u shpreh presidentja.

    “Sepse bie ndesh me rendin kushtetues të Kosovës. 23 shkelje të Kushtetutës. Për shkak se sistemi juridik i yni por edhe i BE-së, marrëveshje të tilla nuk i vendos mbi Kushtetutë”.

    Vjosa Osmani decidivisht theksoi se “nuk mund të ketë bashkësi mono-etnike”, ngase Kushtetuta e Kosovës është e ndërtuar mbi parime të shumëllojshmërive etnike.

    Zgjidhje të shekullit të kaluar, e cilësoi ajo marrëveshjen për këtë bashkësi komunash e cila është arritur në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në vitin 2013 e më pastaj më 2015.

    “S’mund të shtyjmë para zgjidhje që ndajnë njerëz, që shkaktojnë segregacion e krijojnë mure”, u shpreh Osmani para Pahorit, derisa shtoi se modele si “Republika Serbe” e Bosnje-Hercegovinës, “e shohim çdo ditë se çfarë problemesh shkaktojnë”.

    Në atë se a ka alternativë për këtë marrëveshje, Osmani tha se “e vetmja alternativë është Kushtetuta e Kosovës”.

    Rreth dialogut Kosovë-Serbi, Osmani tha se kërkojmë “njohje reciproke e jo zgjidhje gjysmake”.

    Funksionaliteti, sovraniteti, integriteti territorial, dhe unitariteti i shtetit, Osmani tha se nuk bën të cënohen, siç do të ishte rasti me zbatimin e Asociacioni të Komunave me shumicë serbe./Reporteri.net/.

    Osmani: Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme drejt paqes

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!