×
  • Lajme
  • Lajme

    Kamberi-Vuçiqit: Duhet ta kuptoni faktin që rruga juaj drejt Shqipërisë kalon nëpër Kosovë

    Reporteri
    03 Dhjetor 2021 | 14:49

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka reaguar presidentit serb Aleksandar Vuçiqi, pasi ky i fundit tha se janë të domosdoshme marrëdhëniet shumë të mira mes shqiptarëve dhe serbëve.

    Kamberi përmes një postimi në Facebook, i ka bërë të ditur presidentit serb debatin për dialogun me Kosovë në Kuvendin e Serbisë, derisa ia kujtoi se ka reaguar me inat ai.

    “Aleksandër Vuçiq më në fund e paska kuptuar që për Serbinë “janë të domosdoshme marrëdhëniet shumë më të mira me shqiptarët” Po, z.President, a nuk ju kam thënë të njëjtën gjë në debatin parlamentar rreth dialogut me Kosovën? A nuk ju kam thënë me atë rast që “si pjesëtar i popullit shqiptar e shoh perspektivën e popullit tim në anëtarësimin në BE, por në të njejtën kohë edhe në bashkëpunimin e ndërsjellë me popujt e Ballkanit Perëndimor, duke e përshirë edhe popullin serb”, ka shkruar në Facebook, Kamberi.

    Ai, po ashtu ka thënë se rruga e Serbisë drejt Shqipërisë kalon nëpër Kosovë.

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë i ka thënë presidentit të këtij shteti se vetëm kur Serbia ta pranojë se çfarë ka bërë në Kosovë mund të ketë miqësi me shqiptarët.

    “Në fund të fundit ju ka parë i gjithë publiku se si i keni pranuar sugjerimet e ardhura nga unë. Përsëri po ju them që të hiqni dorë nga “imagjinatat virtuale rreth Kosovës” dhe të pranoni jo vetëm realitetin, por edhe përgjegjësinë rreth asaj se çfarë ka bërë shteti serb në Kosovë. Vetëm atëherë mund të flisni për miqësinë me shqiptarët. Deri atëherë duhet patjetër ta kuptoni faktin e pamohueshëm që rruga juaj drejt Shqipërisë kalon nëpër Kosovë”, ka shkruar Kamberi.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!