Komisioni Evropian i ka kërkuar Serbisë të përmbahet nga retorika nxitëse ndaj Kosovës dhe të ndërmarrë hapa konkretë për arrestimin dhe ndjekjen penale të personave të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Në një përgjigje për Euronews Albania, zëdhënësi i Komisionit Evropian ka shprehur shqetësimin për deklaratat e politikanëve serbë lidhur me Kosovën, si dhe për mungesën e veprimeve të autoriteteve serbe ndaj personave të dyshuar për përfshirje në sulmin në Banjskë.

Reagimi i Brukselit vjen pas deklaratave të Millosh Jovanoviqit, i cili gjatë fushatës zgjedhore vizitoi Prizrenin dhe u shpreh se “Kosova është Serbi”, si dhe të ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, i cili deklaroi se flamuri serb do të valëvitej sërish mbi qytet.

Reklamë

Lidhur me deklaratat e tilla, zëdhënësi i Komisionit Evropian ka theksuar se liderët politikë duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi e stabiliteti në rajon.

“Ne presim që të gjithë liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi besimi e stabiliteti rajonal, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.

Sa i përket mbështetjes financiare që Serbia merr nga Bashkimi Evropian, Komisioni ka bërë të ditur se vlerëson në vazhdimësi përmbushjen e kushteve përkatëse për përfitimin e fondeve evropiane.

“Komisioni vlerëson në mënyrë të vazhdueshme nëse përmbushen kushtet përkatëse për mbështetjen nga instrumentet financiare të BE-së. Këtu përfshihet kushti paraprak që përfituesit e Instrumentit për Reforma dhe Rritje të respektojnë dhe të garantojnë funksionimin efektiv të mekanizmave demokratikë dhe të shtetit të së drejtës, si dhe kushti paraprak që lidhet me dialogun Beograd–Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e KE-së.

Komisioni Evropian ka rikujtuar gjithashtu kërkesën e tij të vazhdueshme që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë të mbajnë përgjegjësi, duke përmendur në mënyrë të veçantë Milan Radoiçiqin, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës në lidhje me këtë rast.

Reklamë

“BE-ja ka kërkuar vazhdimisht që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë të vitit 2023 të mbajnë përgjegjësi, përfshirë Milan Radoiçiqin”, thuhet në përgjigje.

Brukseli ka shprehur shqetësim edhe për raportimet se Radoiçiqi ka marrë pjesë në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila është në pushtet në Serbi.

“Na vjen keq që, deri sot, Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale, me akuzat e duhura, të personave që ndodhen në territorin e saj. Ne mbetemi gjithashtu të shqetësuar nga raportimet për pjesëmarrjen e personit të dyshuar për kryerjen e veprës penale në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila është në pushtet. Presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të vendosura për ndihmën e ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull prej kohësh dhe Serbia duhet të ndërmarrë hapa për ta trajtuar atë pa vonesa”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.