Kërcënimet për greva nga sindikatat, Murati: Ata u mashtruan e manipuluan nga qeveritë e kaluara

Sindikatat e Kosovës kanë kërcënuar me greva nëse nuk miratohet Ligji i Pagave.

Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se deri tek këto kërcënime ka ardhur për shkak se sindikalistët janë mashtruar nga qeveritë e kaluara.

Ai ka thënë se kërkesat e sindikalistëve nuk janë të sinqerta.

“Diskursi publik nga disa prej përfaqësuesve të sindikatave nuk konsideroj që është i sinqertë. Kjo, për shkak se kemi të bëjmë me një qeveri që ende nuk i ka bërë një vit. Nëse kemi thënë që i zgjidhim problemet brenda mandatit, unë mund të kuptoj që vitin e tretë, mundet me pas kritika, por jo ende pa i bë një vit”, tha Murati.

Murati theksoi se më herët janë dhënë premtime që nuk janë mbajtur, ndërsa tani do të mbahen premtimet, nga qeveria aktuale.

“Unë besoj që sindikatat por edhe punëtorët, do të duhej ta dinin që janë mashtruar sa e sa herë, që janë mashtruar e janë manipuluar prej këtyre partive që kanë qenë në qeverisje, nuk duhet besuar në to”, tha Murati.

“Edhe më herët janë dhënë premtime, nga qeveritë paraprake, por e kemi parë sa janë realizu. Tash e kemi një qeveri, kur e jep një zotim edhe e realizon. Nuk jemi anashkalues, por vetëm e konsiderojmë që është e pasinqertë të thuhet se po kërkohen të drejtat e punëtorëve dhe të kërkohet të realizohet çdo gjë në një vit dhe të kërcënohet me greva. Greva duhet të jetë fjala e fundit e një diskutimi social”, tha Murati.

Ai u shpreh se më herët kanë përkrahur grevat për shkak se qeveritë e kaluara nuk i kanë mbajtur premtimet.

“Është bërë një Ligj i Pagave, i cili ka qenë një listë dëshirash, pra kanë plotësuar kërkesa dhe dëshira, por që ka qenë i parealizueshëm. Ka qenë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Kuvend e kam cituar, ku thuhet se edhe po të hynte në fuqi, ka qenë i pazbatueshëm, sepse nuk ka qenë i buxhetuar”, u shpreh Murati.

Tutje, ministri i Financave shtoi se, “Ky është rezultati, këtë e ka thënë edhe aktgjykimi, nuk kanë qenë të buxhetuara. Pse duhet një qeveri ta marr përsipër zbatimin e gënjeshtrave të partive tjera. Kemi zgjidhje. Fillimisht Ligji i Pagave bën harmonizim. Ligji i Pagave bën harmonizim. Është një ligj tjetër që është për rritje të pagave në sektorin publik, është ai për financa publike dhe përgjegjësitë”, tha Murati.