×
Intervista

Këshilltarja britanike në Qeverinë Kurti, Gowing: Prioritet arsimin e punësimin

Autor:Fortuna Shkodra Haliti
16 Dhjetor 2021 | 12:00

Elizabeth Katherine Gowing, ka pak ditë që ka marrë një post të ri në Qeverinë e Kosovës. Deri sot, tash e 15 vjet në Kosovë, ajo ka qenë një aktiviste që më së shumti mbrojti të drejtat e komuniteteve dhe grave.

Ajo u emërua këshilltare politike për Çështjet e Komuniteteve nga kryeministri Albin Kurti.

Në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net”, Gowing ka treguar synimet dhe prioritetet e saj si pjesëtare e Qeverisë.

Për të, më e rëndësishmja është të ketë prioritet arsimin dhe punësimin.

Gowing, ka punuar në politika arsimore dhe në arsimin fillor në Britani të Madhe dhe që nga viti 2006, kur është zhvendosur në Kosovë, ajo është angazhuar në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, me fokus te komunitetet joshumicë.

Reporteri.net: Znj.Gowing, para pak ditësh jeni emëruar nga kryeministri Albin Kurti, këshilltare politike për Çështjet e Komuniteteve. Sa kanë qenë pritjet tuaja ta merrnit këtë post dhe si e pritët?

Gowing: Kuptohet që kurrë nuk kam menduar për një pozitë të tillë, por mbasi kam shumë respekt për Kryeministrin, dhe kam qenë shumë e frymëzuar prej qeverisë së tij, dhe mundësitë e reja për Kosovën, më është dukur një nder i madh kur më ka ftuar për këtë pozitë. Deri tash në Kosovë kam qenë aktiviste dhe pjesë e shoqerisë civile, pra nuk kam marrë pjesë në sistem politik, dhe jam dashtë të bindem që mund të arrihen gjëra të mira. Besoj dhe shpresoj që me këtë rol të ri, mundem me kontribu për barazi dhe drejtësi në Kosove për të gjithë qytetarët e saj.

Reporteri.net: Me sa dimë, ju në Kosovë jetoni që 15 vjet. Sa e njihni dhe sa do të jetë kontributi juaj në këtë post të ri?

Gowing: Po, kam qenë këtu prej vitit 2006 dhe kam pasë nder me qenë qytetare e Kosovës prej vitit 2018. Jam bashkëthemeluesja e një OJQ-je kosovare që merret me çështjet e komuniteteve, por edhe kam punuar si konsulente këtu me Save the Children, Unicef, Caritas Kosova, Bashkimin Evropian dhe shumë organizata të tjera me komunitete. Kështu kam pasë mundësi me mesuar për brengat kryesore të komuniteteve por edhe kam hasë disa prej qasjeve më të suksesshme për adresimin e sfidave me të cilat ballafaqohem. Kam udhëtuar anembanë Kosovës edhe me punë edhe për qejf, pra nuk besoj që ka një komunë ku nuk kam shkelur, dhe kjo ka qenë një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës sime në Kosovë. Shpresoj që në këtë post të ri do të kem edhe mundësi të tjera me u taku me njerëz prej të gjithë territorit të shtetit dhe me siguru që zërat e të gjithë komuniteteve në Kosovë dëgjohen qartë.

Reporteri.net: Cilat do të jenë prioritetet tuaja?

Gowing: Kam mësuar prej punës me shoqëri civile që më me rëndësi është të dëgjosh para se të veprosh, dhe sidomos të dëgjosh prej njerëzve që janë duke u përballuar ditë për ditë me sfidat, dhe e dinë ku janë prioritetet. Kështu që për fillim kam dëshirë të dëgjuoj prej të gjitha komuniteteve në Kosovë, dhe kam filluar me një orar të takimeve dhe konsultimeve. Kuptohet që do të udhëzohem edhe prej Programit të Qeverisë për 4 vitet e ardhshme ku prioritetet janë për arsim dhe për punësim – që më duken si prioritetet e të gjithë kosovarëve. Duhet gjithashtu të bisedojmë edhe me donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë dhe me stafin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve për projekte praktike që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të komuniteteve të lëna pas dore.

Reporteri.net: Para se të merrnit këtë post, ju keni qenë vazhdimisht humanitare-aktiviste, sidomos kur bëhet fjalë për komunitetet në Kosovë. A mendoni se në Kosovë ka diskriminim ndaj tyre?

Gowing: Kam udhetuar në më shumë se 50 shtete në botë dhe, fatkeqësisht, besoj që ka diskriminim kudo, dhe Kosova nuk është në përjashtim. Por prej përvojës në vend multietnik siç është Londra, ku kam qenë mësuese për 10 vjet, kam parë edhe sa ka përfitim për të gjithë kur secili qytetar ka mundësi për të kontribuar. Kjo është ëndrra ime – që në fushat e shkencës, të biznesit, të kreativitetit, të shoqërisë civile dhe të tjera, çdo person në Kosovë ka qasje të barabartë dhe ka mundësi për të kontribuar. Jam frymëzuar prej shumë individëve edhe në Kosovë që dëshmojnë që kjo mund të bëhet realitet – dhe sidomos prej ndërmarreseve femra prej komuniteteve të ndryshme që janë storie suksesi me biznese që kanë hapë.

Reporteri.net: Ju bashkë me burrin tuaj më herët keni formuar një OJQ, që quhet “The Ideas Partnership”. Na flisni pak më shumë rreth punës që keni bërë?

Gowing: Fokusi i The Ideas Partnership është e komunitetet, dhe prej punës gjatë më shumë se një dekade si vullnetare në të, kam pasë mundësi me mësu në terren për sfidat me të cilat ballafaqohen komunitetet. Gjithashtu jam njohur me individë – vajza të kthjellta, nëna të guximshme, djemë ambiciozë – që thyen barrierat dhe kontribuan për transformim në komunitetet e tyre. Në disa raste, këto transformime janë ndihmuar edhe prej projekteve të qëlluara dhe besoj që mund të jenë shembuj për iniciativë modeste, me shumë angazhim vullnetar dhe me lidership nga vetë komunitetet, që tash mund të zbatohen në pjesë të tjera të Kosovës. Puna jonë është njohë me një çmim nga Kyreministrja e Britanisë së Madhe së asaj kohe – Theresa May – dhe jam shumë krenare për çka kemi arritë bashkë me stafin (gjysëm prej tyre nga komunitetet) dhe vullnetarët (prej komuniteteve shumicë dhe pakicë).

Reporteri.net: Aktualisht, cilat janë brengat dhe nevojat e komuniteteve, me aq sa i keni parë ju në terren?

Gowing: Nuk besoj që dallojnë shumë prej brengave të shumë qytetarëve të Kosovës – me prioritet punësim dhe arsim cilësor (që çon në punësim gjithashtu). Besoj që me punësim vjen integrimi i vërtetë – jo ‘tolerancë’ por bashkëpunim me kolegë. Gjithashtu është me mundësi për punësim që vjen shpresa dhe vullneti për të investuar në Kosovë, jo me ikë prej këtu. Vjen edhe besimi në siguri, dhe krenari si individ, por edhe në shtetin ku jetojmë.

Reporteri.net: Znj.Gowing për fund, për çka do t’ju kujtojnë qytetarët e Kosovës, në veçanti komunitetet me të cilat ju keni bashkëpunuar më së shumti?

Gowing: Prej të gjitha komuniteteve më ka bërë përshtypje më e madhe mikpritja! Është ndoshta diçka edhe më e theksuar, dhe patjetër më e çmuar, në familjet me kushtet më të rënda. Shpesh pas vizitës kam marrë një pjesë punëdore – një tentene, ose do çorape – ose një byrek me vete, ose një çaj bimorë të grumbulluar në bjeshkë. Çfarë zemërgjerësie – dhe patjetër motivim për m’i përkrahë familjet e Kosovës. /Reporteri.net/

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!