Ish-profesori i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Bekim Bejta, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes ndaj ish-studentes së tij, V.F.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur të mërkurën, më 28 tetor 2026, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Arta Cukaj, Bejta ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

“I pafajshëm tërësisht, plotësisht dhe amshueshmërisht”, ka deklaruar Bejta në gjykatë.

Reklamë

Pas deklarimit të të akuzuarit, gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij se deri më 28 nëntor 2026 kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Bekim Bejta akuzohet se më 20 tetor 2022, me qëllim të frikësimit, e ka kanosur ish-studenten V.F.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte përdorur fjalët: “Po presim tash çka po ndodh, a po vjen diçka në favorin tim, a ka me m’ndodhë mu naj sen, këtë punë larg e çoj deri në familje, shkoj”, si dhe “Ku është ajo V., që po bon probleme, se këtë punë e kryej me burra dhe kanun, se unë nuk merrem me femra”.

Sipas Prokurorisë, këto fjalë i pandehuri ia kishte drejtuar ish-studentes në prani të studentëve, gjatë ligjëratave të mbajtura më 27 qershor 2022.

Reklamë

Në aktakuzë pretendohet se, përmes këtyre veprimeve, Bejta i ka shkaktuar të dëmtuarës ndjenjë frike, ankthi dhe pasigurie për jetën.

Për këto veprime, ish-profesori i Universitetit të Prishtinës po akuzohet për veprën penale “Kanosja”. Bejta nuk e ka pranuar fajësinë për akuzën e ngritur ndaj tij./kallxo/