Në raportin e diskutuar të shtunën në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, është përmendur sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Organizata joqeveritare “International Crisis Group”, e cila ka mision parandalimin e konflikteve në botë është cituar sot për raportin ku thuhet se KFOR kishte negociuar largimin e grupit paramilitar që kreu sulmin.
Aty po ashtu përmendet armatimi që u gjet pas sulmit terrorist në Banjskë, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata u zhdukën (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht edhe qindra të tjerë sulmues ishin fshehur në pyjet ndërmjet Banjskës dhe kufirit serb dhe zbuluan një sasi e madhe armësh të afta për të shkaktuar dëme dhe viktima të konsiderueshme – përfshirë këtu raketahedhës antitank, mortaja dhe granatahedhës, mina antitank dhe 24 automjete (një e blinduar) (ICG, 2024).
Kujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. /Reporteri.net/