×
  • Lajme
  • Lajme

    KFOR për barrikadat në veri: Palët të mundësojnë lirinë e lëvizjes, zgjidhja vetëm përmes dialogut

    Reporteri
    20 Dhjetor 2022 | 12:59

    Në ditën e 11-të të barrikadave në veri të Kosovës, KFOR ka bërë thirrje që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, shkruan Reporteri.net.

    Sipas KFOR, zgjidhja e situatës duhet kërkuar përmes dialogut. Kështu deklaroi për N1 komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

    “Ne presim që të gjithë akterët të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga demonstrimet e forcës, për të mundësuar lirinë e lëvizjes në Kosovë. Kfor do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ftojmë të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet kërkuar përmes dialogut”, tha, komandanti i KFOR-it.

    Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, edhe njëmbëdhjetë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

    Që nga e shtuna e 10 dhjetorit kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndërsa në javën që shkoi u njoftua edhe për barrikada të tjera të vendosura nga serbët lokalë.

    Policia dje njoftoi për nëntë barrikada në total të vendosura nga serbët.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja kanë kërkuar kohë për zhbllokimin e rrugëve në veriun e vendit, ndërsa theksoi se bllokada e tillë nuk mund të lejohet për një kohë të gjatë.

    “Ne jemi në koordinim, komunikim të rregullt, të vazhdueshëm, intensiv me KFOR-in dhe padyshim që nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat e tilla por mos harroni se ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundi është fillimi i fazës së fundit të tyre” – tha Kurti.

    Në anën tjetër nga KFOR nuk kanë deklaruar se kur po synojnë të ndërmarrin hapa drejt heqjes së barrikadave. /Reporteru.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!