Kjo është dosja kriminale e djemve problematik të Sabit Gecit

Alban Geci, djali i ish-komandantit të UÇK-së Sabit Geci, është kapur dje nga policia e Kosovës, pas katër muajsh qëndrimi në arrati, si i dyshuar për përfshirje në një rrjet fajdeje. Albani, edhe para këtij rasti, nuk ka qenë emër i panjohur për autoritetet e sigurisë dhe drejtësisë në vend. Njëjtë sikurse edhe i vëllai i tij Kushtrim Geci. Ata bashkë dyshohen se kishin therur me thikë dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në shtator të vitit 2015. Të njëjtit, para gati 10 vitesh ishin akuzuar edhe për një rast sulmi në shtëpinë e Hashim Thaçit.


Shtëpia në Pejton e ish-komandantit të njohur të UÇK-së, Sabit Geci, ishte rrethuar e bastisur nga policia, mëngjesin e 20 dhjetorit të vitit të shkuar. Pjesëtarët e njësisë Speciale të PK-së këtë herë e kërkonin djalin e Gecit, Albanin. Por, u tha se nuk u gjet aty.

Alban Geci arriti të arratiset, për të qëndruar katër muaj pa rënë në prangat e policisë. Deri të mërkurën, rreth orës 11:00, kur ai u arrestua në Prishtinë, jo shumë larg shtëpisë së tij, shkruan Reporteri.net.

“Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes në Hajvali”, ka njoftuar Policia në raportin e tyre 24 orësh, duke iu referuar rastit të Gecit.

Atij, sot gjykata i caktoi një muaj paraburgim. “Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit A.G., i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Alban Geci po dyshohet se është i përfshirë në një rrjet të krimit të organizuar dhe fajdesë, që operonte në kryeqytet.

Në ditën kur Geci u arratis, Policia gjatë bastisjeve në disa lokacione tjera, kapi pesë pjesëtarët tjerë të dyshuar si pjesë e të të njëjtit grup.

Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i grupit të tifozëve ‘Dardanët’, Lulzim Berisha e Dalip Brahmi, ish-kryetar i degës së AAK-së në lagjen “Kodra e Trimava”. Të arrestuarit tjerë ishin Rrahim Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi. Të gjithë këta u ndalën në paraburgim, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ky grup prej gjashtë pjesëtarësh, sipas autoriteteve të sigurisë në vend, po dyshohen se janë përfshirë në veprat penale “fajde”, “detyrim”, “kanosje” dhe “krim të organizuar”.

Gjatë operacionit të bastisjeve që ndodhën fundvitin e shkuar, Policia kishte njoftuar se ka sekuestruar për prova materiale 16 mijë Euro para të gatshme, pesë vetura, një motor udhëtarësh, 10 telefona celularë, 1 laptop, dy DVR, 12 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 4 shtëpiza kompjuteri, 4 aparate të lojërave të fatit, si dhe dokumente tjera të cilat mund të përdoren për vazhdim të procedurës penale.

Por, Alban Geci nuk është hera e parë që dyshohet për përfshirje në veprimtari kriminale. Ai në shtator të vitit 2015, bashkë më të vëllain Kushtrimin, ishin arrestuar për lëndim të rëndë trupor dhe kanosje ndaj dy aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Në fakt, dy aktivistët e VV-së kishin mbetur të therur me thikë, nga ky rast, që kishte ndodhur para atëkohë selisë së këtij subjekti politikë, në lagjen e njohur si “Qafa”.

Kushtrim dhe Alban Geci

Për rastin në fjalë, Prokuroria e Shtetit atyre u kishte ngritur aktakuzë, shumë muaj pasi kishte ndodhur ngjarja.

E një vit më vonë, Kushtrim Geci, po me thikë, kishte kërcënuar një polic derisa ky i fundit po i shqiptonte gjobë për kundërvajtje në trafik, shkruan Reporteri.net.

Me fjalët: “Kujna po ia shkrun t`i q… robt”, i ishte drejtuar Kushtimi policit M.V., derisa ai ishte duke i shqiptuar tiketë për kundërvajtje. E më pas e kishte nxjerrë edhe thikën për ta kërcënuar policin që kishte shpëtuar pa plagë falë kolegut të tij që kishte ndërhyrë duke e arrestuar Gecin.

Por, ky i fundit ishte lëshuar në procedurë të rregullt nga Prokuroria e Shtetit, përkundër se ishte recidivistë.

Kushtrim Geci, përveç për veprimeve kriminale, njihet edhe si i afërt me personazhet e showbizz-it në Kosovë. Madje, për të ishte raportuar se kishte qenë edhe në lidhje dashurie me një këngëtare të njohur.

Alban e Kushtrim Geci ishin dyshuar se ishin të përfshirë edhe në një rast sulmi në shtëpinë e atëkohë kryeministrit Hashim Thaçi. Ngjarja kishte ndodhur para gati dhjetë vitesh. Por, dyshimet për vëllezërit Geci i kishte hedhur poshtë EULEX-i, pak kohë pasi ndaj tyre kishte ngritur aktakuzën.

Telashe me drejtësinë, sikur të bijtë, ka pasur edhe vetë Sabit Geci. Ish-komandanti i UÇK-së, në korrik të vitit 2011 ishte dënuar më 15 vjet burgim për krime lufte. Gjykata e Qarkut e Mitrovicës, Gecin e kishte gjetur fajtorë për vrasje dhe keqtrajtime të të burgosurve në Kukës dhe Cahan, gjatë viteve të luftës 1998-1999.

Në shkurt të vitit 2017, Sabit Geci ishte liruar nga burgimi, pas një vendimi të Ministrisë së Drejtësisë që i ndërpreu vuajtjen e dënimit për krime lufte, me arsyetimin se ai vuan nga një sëmundje dhe i duhet trajtimi mjekësor adekuat. /Reporteri.net/.

Sabit Geci, Alban Geci dhe Kushtrim Geci