Ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kreut të OVL-UÇK’së, Faton Klinaku, pas publikimit të pjesës së tretë të përgjimeve, ku është e përfshirë edhe Mimoza Kusari-Lila.
Përmes një postimi në “Facebook” ndërkaq, Klinaku i ka bërë thirrje Prokurorisë që t’i intervistojë Kusari-Lilën e Slavko Simiqin, e madje të ngrisë aktakuzë ndaj tyre, pasi siç thotë ai mund të dijnë vendndodhjen e Radojiçiqit.
“Sipas asaj që ne e dinim, qeveria e kishte të vetmen mundësi që të bashkëpunonte dhe të bashkërendonte votimin me listën serbe, e që për ne atëherë kjo ishte e pamoralshme dhe e pakuptueshme, por kjo gjë ka ndodhur atëherë, e që ne vazhdimisht e kemi thënë publikisht e që tash po dëshmohet edhe me përgjime”, tha ndër tjerash ai.
Më poshtë edhe postimi i plotë:
Rezistenca e Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, për ta mbrojtur një të drejtë të garantuar me ligj, ishte legjitime. Prandaj, vitin e kaluar kishim kontakte me grupe parlamentare në opozitë e edhe pakicave në pozitë (pos listës serbe), përmes të cilave takime kishim një lloj garance se ligji që i heq veteranët nga paga minimale nuk do të kalojë.
Sipas asaj që ne e dinim, qeveria e kishte të vetmen mundësi që të bashkëpunonte dhe të bashkërendonte votimin me listën serbe, e që për ne atëherë kjo ishte e pamoralshme dhe e pakuptueshme, por kjo gjë ka ndodhur atëherë, e që ne vazhdimisht e kemi thënë publikisht e që tash po dëshmohet edhe me përgjime.
Pas përgjimeve, së paku prokuroria duhet që t’i intervistojë deputetët Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simic, se pse mbajnë kontakte me një të ndjekur nga shteti i Kosovës siç është Milan Radoiçiq, e qe besa t’iu ngris aktakuzë për këtë, pasiqë edhe mund ta dijnë vendndodhjen e tij.