Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pasur sot një takim pune me kandidatët e LDK-së që garojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Abdixhiku ka shkruar se janë plot 9 komuna ku LDK sot garon; me 2 të fituara tashmë.

Në postimin në Facebook, Abdixhiku thekson se “çështjet tjera periferike, ato të pas humbjeve e protagonizmave kohë-humbëse, do të trajtohen menjëherë pas 9 nëntorit; dhe atë qartë e drejtë”.

Reklamë

Postimi:

U mblodhëm sot, të gjithë bashkë, kandidatët e LDK-së që garojnë në raundin e dytë; raundin final, si parapërgatitje për 9 nëntorin.

Çdo energji, çdo fokus, çdo aktivitet i LDK-së në këto ditë do të drejtohet vetëm për LDK-në. Do të drejtohet drejt garave tona; aty ku prijmë, aty ku garojmë, aty ku qytetarët tanë e presin fitoren e LDK-së.

Dhe janë plot 9 komuna ku LDK sot garon; me 2 të fituara tashmë.

Këtu mbetet puna jonë. Kështu projektohet LDK-ja jonë. Për veten, për kandidatët tanë e fitoret tona. Çështjet tjera periferike, ato të pas humbjeve e protagonizmave kohë-humbëse, do të trajtohen menjëherë pas 9 nëntorit; dhe atë qartë e drejtë.

Reklamë

Tani le të fitojmë. Në Prishtinë, Pejë, Fushë Kosovë, Gjilan, Viti, Obiliq, Junik, Dragash, Suharekë. ✌️

Ju faleminderit, po ashtu të 180 mijë votuesve, përfshirë dhe ata në mërgatë, që po e vulosin LDK-në si parti të parë në këto zgjedhje lokale.

Paraditen e së hënës, Xhafer Tahiri i LDK-së nënshkroi marrëveshje koalicioni me Sylejman Mehollin e VV-së për balotazhin e 9 nëntorit në komunën e Vushtrrisë. Në një komunikatë të LDK-së u tha se Tahiri s’është autorizuar për këtë koalicion. Madje u paralajmëruan masa pasi të përfundojë gara lokale.

Reklamë

/Reporteri.net/