×
  • Lajme
  • Lajme

    Edhe Albulena Haxhiu kërkonte llogari se përse ‘Baba i tenderëve’ vazhdon punën në MI, ani pse i dënuar për korrupsion

    Reporteri
    27 Maj 2021 | 13:20

    Ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vite më parë në cilësinë e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, kishte shtruar në Kuvend pyetje lidhur me rastin e Nexhat Krasniqit, i cili ndonëse i dënuar me burgim efektiv, ka vazhduar punën e tij si drejtor i prokurimit publik në Ministrinë e Infrastrukturës.


    Ajo gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, kishte pyetur ministrin e atëhershëm, Pal Lekaj, se pse ka lejuar rikthimin në pozitën e drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës personin i cili është dënuar me vendim nga Gjykata Themelore, është vërtetuar nga Gjykata e Apelit, Supreme e madje edhe nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

    “Nexhat Krasniqi deri në vitin 2018 ka qenë i punësuar në cilësinë e drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Gjatë punës së tij në këtë Ministri, ai u ka dhënë tendera kompanive të ndryshme në forma të kundërligjshme, me çka ka dëmtuar me miliona euro buxhetin e Republikës së Kosovës. Në lidhje me këto afera korruptive, Gjykata Themelore e ka dënuar me 26 muaj me burg efektiv për veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje’. Pas apelimit në Gjykatën e Apelit, kjo Gjykatë ka marrë vendim që të pandehurit t’i shqiptohet dënimi me një vit e gjashtë muaj burg me kusht. Gjatë zhvillimit të procedurës gjyqësore lidhur me këtë rast, ai është emëruar si drejtor i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës. Në këtë periudhë, sekretari i MI-së, Xhelal Bekteshi, ka suspenduar të pandehurin nga pozita në mbështetje të ligjit për shërbyesit civil dhe e ka ndaluar të afrohet në zyrat e Prokurimitn publik të kësaj Ministrie. Edhe pse i dënuar me burgim, zoti Krasniqi në kundërshtim me ligjin për shërbyesit civil, më 2 mars 2018 është rikthyer si drejtor i Prokurimit publik në Ministrinë e Infrastruktuës ani pse ka qenë dhe është i dënuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.”, kishte thënë Haxhiu gjatë fjalës së saj në Kuvend.

    Nga ana tjetër, në seancën e sotme plenare, lideri dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka parashtruar disa pyetje kryeministrit Kurtit, ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se personi që dikur nga deputetët e Vetëvendosjes, që tash janë në Qeveri, konsiderohej si ‘baba i tenderëve’ e ‘kuopla e krimit’, tash është duke punuar në Ministrinë e Liburn Aliut, shkruan Reporteri.net.

    “Qeveria Kurti e ka nisur bukur keq me çështjen e korrupsionit… Xhelal Sveçla bashkë me zonjën Haxhiu dhe zotin Aliu, më kanë marrë në pyetje për personin e quajtur Nexhat Krasniqi, i cili sipas tyre është baba i tenderëve, është kupola e krimit dhe është dikush që nuk bën me punu me të se është i dënum prej gjykatave e ku ta di unë”, ka thënë ai në Kuvend.

    Ai ka thënë se një njeri për të cilin ka dhënë disa herë sqarime për të e që me ndërhyrjet e ish-deputetëve të VV-së, është shkarkuar, tash punon tek ministri Aliu.

    “Rezultat i kësaj ndërhyrje të deputetëve ka ardhë edhe deri tek shkarkimi i tij me sa marr vesh unë zoti Nexhat Krasniqi me gjase u la, tash nuk është më ai baba i krimit, u bo i mirë, është në punë te ministri Liburn Aliu edhe i kryen funksionet e veta. Një njeri që një Kosovë ka dëgju për të, u kanë temë, disa herë kom dhanë sqarime për të, tash në Qeverinë Kurti ëhstë rahat. Noshta ai u bo i mirë ose këta kanë ndryshu nuk e di cka ka ndodhë në ndërkohë.”, përfundoi Haradinaj.

    Nexhat Krasniqi, i njohur si ‘Baba i tenderëve’, shef i prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës, i dënuar për korrupsion, me vendim të plotfuqishëm nga gjykata, jo rrallë herë është përmendur në media për afera të ndryshme brenda Ministrisë së Infrastrukturës. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!