Më 23 nëntor të vitit 2020, kur po qeveriste Avdullah Hoti, disa herë kryeqyteti kishte mbetur me orë të tëra pa ngrohje e pa rrymë. Këtë e kishte kritikuar atëherë edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, shkruan Reporteri.net.
Por sot kur në krye të Qeverisë është Albin Kurti, e Kosova po përballet me mungesë energjie e madje edhe ngrohje, siç rëndom ndodhi sot, deputetja e kësaj partie s’e ka lëshuar asnjë kritikë.
“Përsëri paska prishje. Përsëri me orë të tëra në këtë kohë të ftohtë mbesin pa rrymë e rrjedhimisht pa ngrohje e ujë qindra banorë banorë të Prishtinës. Në këtë kohë kur shumë banorë po kurohen nga Covid19 në banesat e tyre janë lënë pa rrymë e rrjedhimisht edhe pa ngrohje e pa ujë. Në shumicën e banesave kur nuk ka rrymë nuk ka as ngrohje e as ujë”, pati shkruar Pacolli në Facebook më 23 nëntor 2020.
Ajo pati thënë se kjo ishte e papranueshme KEDS po shkel të drejtat themelore të qytetarëve.
“Nuk na intereson ne a ka prishje. Ne paguajmë shërbimin ndërsa nuk na intereson fare se si kompania do ta sigurojë atë. Qytetarët duhet të furnizohen me rrymë. A u privatizua distribucioni i KEK-ut me premtimin se do të përmirësohet shërbimi? Ky nuk është shërbim por maltretim. Secili qytetarë dhe të gjitha bizneset, që janë dëmtuar nga këto ndërpreje të gjata të rrymës, të deponojnë padi kundër KEDS. KEDS duhet të kompenzoj secilin për dëmet që i ka shkaktu secilit, bash secilit”, pati shkruar tutje Pacolli.
Sot gjatë tërë ditës Prishtina u përball me mungesë të ngrohjes qendrore, e madje, ditët e fundit shumë edhe pa rrymë.
Mungesa e avullit që çoi në ndërprerjen e ngrohjes për konsumatorët në Prishtinë nga ndërmarrja “Termokos” erdhi si pasojë e problemeve në njësinë B1 të termocentralit ‘Kosova B’. Kështu ka njoftuar sot Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Sipas planeve, KEK-u njoftoi se njësia B1 pritet të kthehet në prodhim të enjten, më 16 dhjetor, “kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokos-it me avull për ngrohje qendrore”.
KEK-u po ashtu njoftoi se aktualisht në termocentralin ‘Kosova A’, gjendja është stabile, ku në punë janë të tria njësitë aktive ( A3, A4 dhe A5) që prodhojnë rreth 390 megavate në orë.
KEK-u sqaroi se po bën përpjekje maksimale për prodhim te qëndrueshëm me energji elektrike.
“Termokos”-i njoftoi të mërkurën se ndërpreu ngrohjen për të gjithë konsumatorët në Prishtinë, për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).