×
  • Lajme
  • Lajme

    Kur Xhelal Sveçla kërkonte shkarkimin e Nexhat Krasniqit, që sot Albin Kurti dhe Liburn Aliu po hezitojnë ta bëjnë

    Reporteri
    27 Maj 2021 | 12:55

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e Kuvendit të Kosovës që po mbahet aktualisht, i ka parashtruar disa pyetje kryeministrit Kurtit, ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.


    Në këtë pyetje Haradinaj ka folur për Nexhat Krasniqin, aktualisht udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, person i dënuar për korrupsion, i shkarkuar nga kjo pozitë nga ish ministri Arban Abrashi dhe i rikthyer në punë sërish.

    Haradinaj ua ka kujtuar kritikat kur atij ia bënin sa ishte kryeministër, Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu.

    Sipas tij, aso kohe Sveçla dhe Haxhiu e kishin quajtur kriminel dhe “babë të tenderëve” Nexhat Krasniqin dhe kishin kërkuar shkarkimin e tij.

    “Sot ju a keni ndryshuar apo Nexhat Krasniqi është bërë i mirë. Po ashtu këtu e kam një fotografi të zëvendësministrit Hysen Durmishi duke drekuar me një kompani e cila me të ardhur në pushtet këta ia kanë dhënë tenderin e parë”, ka thënë Haradinaj.

    Mirëpo, Ministri i Brendshëm që vjen nga Qeveria Kurti, Xhelal Sveçla, gjatë një seance parlamentare kishte akuzuar atë kohë Qeverinë që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj për mosluftim të krimit dhe korrupsionit të niveleve të larta, duke përmendur rastin e Nexhat Krasniqit i cili ishte kthyer në punë, në Ministrinë e Infrastrukturës, përkundër se ishte i dënuar për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

    “Prandaj edhe po bisedohet për raportin e tre ekspertëve të Këshillit të Evropës pavarësisht se po tentohet në fillim me u fshehë e pastaj me u minimizu rëndësia e tij. Megjithatë, unë do të fokusohem vetëm te krimi dhe korrupsioni i niveleve të larta. Kryeministri na tregoi edhe në mënyrë statistikore për luftën e krimit. Sot nuk është temë debati se sa hajna të drunjve apo kriminel të vegjël janë ndëshku nga sistemi i drejtësisë. Unë po e përmend vetëm një rast që ka të bëjë me qeverinë aktuale, e kjo është kthimi i Nexhat Krasniqit  në Ministrinë e Infrastrukturës e cila udhëhiqet nga një ministër që vjen prej subjektit politik të kryeministrit. Ne e dimë që Ministria e Infrastrukturës ka buxhetin më të lartë sa i përket investimeve kapitale, diku nën 300 milionë euro dhe të emërohet apo të riemërohet  një i dënuar që siç thuhet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, pastaj edhe të gjykohet për marrje të ryshfetit dhe lidhje e kontratave të dëmshme dhe pastaj i njëjti person nga Ministria e Infrastrukturës të caktohet si drejtori i Drejtorisë së Prokurimit në Ministrinë e Transportit dhe Komunikacionit, Ministri që po përflitet për 53 milionëshin që i është dhënë Bechtel Enkas, besoj se është dëshmi e mjaftueshme që ka mungesë të vullnetit të kësaj qeverie për me luftu krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Unë nuk e di zoti kryeministër se si moralisht dhe juridikisht mundeni me e arsyetu ricaktimin e këtij personi në një pozitë kaq të rëndësishme dhe delikate jo vetëm politike dhe ekonomike dhe në këtë mënyrë ta dëmtoni buxhetin e shtetit. Nëse nuk merrni masa ndaj këtij rasti kjo tregon se nuk jeni të gatshëm me e luftu krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Unë kam dosjen e gjykimit të këtij personit, Gjykata e Apelit, Kushtetuese, të gjitha një nga një kanë dëshmu që ky person është i përfshirë në afera korruptive dhe dyshohet për përvetësim të 182 mijë euro. Unë po du me ia dhënë kryeministrit këtë dokument dhe të shohim çfarë veprime do të ndërmarrë”, kishte thënë Sveçla në fjalën e tij.

    Më poshtë mund ta gjeni videon e para dy viteve kur Xhelal Sveçla kërkonte shkarkimin e Nexhat Krasniqin nga Haradinaj, kur ky i fundit ishte kryeministër. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!