×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kompromisi që kërkon Vuçiç qëndron për ndarje”, thotë Sonja Biserko për Reporteri.net

    Reporteri
    12 Shtator 2022 | 12:06
    Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko

    Autor: Xhezair Dashi


    Kompromisi [që kërkon Aleksandër Vuçiç] gjithmonë ka qëndruar për ndarje, vlerëson Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, në një prononcim për gazetën online Reporteri.net.

    Për vizitat në Prishtinë e Beograd të dy top-këshilltarëve të kancelarit federal gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, Sonja Biserko tha se “ato janë gjithmonë jotransparente rreth asaj se çfarë ndodh prapa skenave”.

    “Por, reagimet e Presidentit [Aleksandër] Vuçiç janë indikative. Ai tha ‘jo njohjes së Kosovës’, dhe vetëm ‘kompromis sipas Rezolutës 12/44’. E kompromisi gjithmonë qëndron për ndarje”, tha aktivistja serbe për Reporteri.net.

    Në lidhje me spekulimet rreth një propozimi të modelit të dy Gjermanive, Biserko tha se “shumë modele janë duke u përfolur”, por se një gjë është e qartë: “Tregimi për Kosovën po shkon drejt një zgjidhje përfundimtare”.

    “Varet nga vendosmëria e Perëndimit dhe besoj se kësaj here do ta mbajnë hapin. Derisa lufta në Ukrainë po shpalos dobësinë ushtarake ruse, lajme të mira mund të vinë shpejt, shpresoj”, thotë njohësja e çështjeve politike rajonale, Sonja Biserko.

    Komuniteti politik perëndimor, sipas Biserkos, e ka në rend të parë “zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe margjinalizimin e ndikimin malinj rus në rajon”.

    “Qartazi agresioni rus mbi Ukrainën e ka shpërfaqur prezencën ruse, e veçanërisht në Serbi, dhe potencialin destabilizues të saj në rajon”.

    “Kosova dhe Bosnja janë dy pika nevralgjike që lehtësisht mund të destabilizohen. Për atë edhe Rusia e parapëlqen status quo-n”, thotë Biserko.

    Duke u mbajtur për Rezolutën 12/44, Biserko thotë se Moska nxit Serbinë të shkaktojë tensione në pjesën veriore të Kosovës.

    “BE dhe ShBA janë duke e përshpejtuar zgjidhjen e çështjeve të mbetura peng dhe shpeshtësia e vizitave të tyre tregon se kësaj here ata janë të vendosur për t’i dhënë fund potencialitetit destabilizues serb. Franca dhe Gjermania gjithashtu tani po marrin udhëheqësinë në aleancën me ShBA-në”.

    “Vendimet e vështira [të kërkuara në letrën e Scholz dhe Macron ndaj Kurtit dhe Vuçiç] i referohen marrëveshjes finale mes dyja palëve”.

    Në këtë konktest, më të vështirë do ta ketë Serbia, vlerëson aktivistja.

    “Njëra sepse Kosova i shërben Serbisë si argument për ta kompenzuar me Republika Srpska-n, dhe dy, Rusia nuk do ta lëshojë lehtë nga grepi Beogradin”, pohon ajo.

    Një tjetër gjë indikative në këtë kontekst, është edhe seanca e thirrur nga partitë opozitare serbe për të diskutuar për Kosovën.

    Partia Popullore e Vuk Jeremiç madje do të propozojë edhe Rezolutë për Kosovën, ku mes tjerash, kërkon që nëse Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk formohet deri më 31 dhjetor të këtij, Serbia ta deklarojë Dialogun e Brukselit si “të dështuar”.

    “Deri më tani vetëm një raport i është dorëzuar Parlamentit të Serbisë”, rikujton Biserko.

    “Vuçiç është e qartë së dëshiron të ndajë përgjegjësinë”, thotë më tej ajo në lidhje me këtë seancë të thirrur për të marten.

    “Në të njëjtën kohë Beogradi së fundi u vizitua nga ministri rus i ekonomisë, Leonid Rashetnikov. Disa vite më parë (më 2015) ai kujtohet të ketë thenë ‘harta e Ballkanit është e përkohshme sepse kufijtë janë artificialë”, tregon sonja Biserko për Reporteri.net.

    Kosova dhe Serbia që nga ngërçi i kahershëm në diaog, kohëve të fundit janë gjetur para një angazhimi të madh perëndimor në gjetjen e një zgjidhje për të çuar para dialogun e Brukselit.

    Kosova, në njërën anë, mbetet peng i një marrëveshje me Serbinë për të përfunduar shtetësinë e saj ndërkombëtarisht, derisa në anën tjetër Serbia varet nga një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Kosovën për të vazhduar rrugën e saj të integrimeve evropiane.

    Kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, në vizitëne tij të parë në Beograd, bëri të ditur se epilogu i logjikshëm i dialogut Kosovë-Serbi, është njohja e ndërsjellë. Formulimi i tij ishte se “është e pamendueshme” se dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën të mund të anëtarësohen në familjen evropiane të shteteve./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!